Ish-drejtori i ALUIZNI-t të Tiranës, Ferdinand Shehu ka çuar në Gjykatë përmes një padie Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit dhe Pastrimit të Parave, pasi sipas tij i kanë kushtuar një dëm të madh ekonomik.

Padia në fjalë është ngritur pasi kjo drejtori i ka sekuestruar Shehut në vitin 2019 një llogari bankare afro 1.5 milionë euro, që më pas ia ka kthyer Gjykata pasi kanë rezultuar para që nuk kanë qenë produkt i aktiviteteve të dyshimta.

Shehu tashmë pretendon nga Drejtoria e Pastrimit të parave që ti paguaj të gjitha kamatvonesat, për shkak se paratë do ti investonte në bursë, dhe pretendon fitimin e munguar.

Ai thotë se në momentin kur i është vendosur sekuestrimi i kësaj llogarie bankare, të cilën pretendon se e ka nga shitja e një hoteli, ka qenë jashtë vendit me familjen e tij dhe i janë bllokuar të gjitha kartat.

Në padinë që është depozituar në Gjykatën Administrative, thuhet se bllokimi i kartave i kishte shkaktuar një udhëtim me shumë rreziqe familjes Shehu, për të cilat tashmë kërkon dhe dëmshpërblim.

”Paditësi Ferdinand Shehu së bashku me familjen në datë 01.08.2019 ka qenë jashtë shtetit me pushime. Paditësi ka pretenduar se ka provuar që të përdorë kartën e kreditit dhe ka konstatuar se kjo kartë ishte e blokuar. Ai ka deklaruar se detyrimi për të kryer pagesa ndaj njësive akomoduese të prenotuara dhe për t’u kthyer në Shqipëri e detyruan të ndërmarrë me familjen një udhëtim me shumë rreziqe”, thuhet mes të tjerave në padi.

PADIA E PLOTË:

PADITËS: Ferdinand Shehu

I PADITUR: Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave

OBJEKTI: Shpërblimin e dëmit pasuror dhe jopasuror të shkaktuar paditësit Ferdinand Shehu, si pasojë e veprimeve dhe mosveprimeve të paligjshme të palëve të paditura të kryera në lidhje me procedimin penal nr. 5888 të vitit 2019 në ngarkim të paditësit Ferdinand Shehu për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”. Detyrimin e palës së paditur, t’i paguaj paditësit të gjitha kamatëvonesat e dëmshpërblimit të sipërcituar, kjo sipas interesave bankare të Bankës së Shqipërisë, duke filluar nga data 01.09.2019 deri në ditën e pagimit të dëmit.

I.Rrethanat e çështjes

Nga aktet bashkëlidhur dosjes objekt gjykimi rezulton se Drejtoria e Përgjithëshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPP) ka lëshuar urdhërin nr. 51, datë 29.07.2019 me numër protokolli 1455/1, nëpërmjet të cilit urdhërohet: “Bllokimi i përkohshëm i çdo debitimi/tërheqjeje, në emër dhe për llogari të Ferdinand Shyqri Shehu i datëlindjes 10.07.1963”. Ky urdhër është lëshuar në bazë të ligjit nr. 9917, datë 19.5.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” të ndryshuar. Pala paditëse ka pretenduar se si pasojë e këtij urdhëri të DPPPP një transfertë e nisur për në Gjermani që do investohej në bursë u bllokua duke bërë që paditësi Ferdinand Shehu të kishte humbje të mëdha financiare për shkak të fitimit të pa realizuar.

Me shkresën nr.10268 prot., date 31.07.2019 Drejtoria per Krimin Ekonomik Financiar në varësi të Departamentit të Policisë Kriminale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së

Shtetit i ka dërguar informacion për investigim Drejtorisë së Policisë Vendore Tiranë në të cilin shprehej se pasuritë e paluajtëshme të shitura nga z.Ferdinand Shehu nuk justifikohen nga të ardhurat e tij ndër vite. Sipas kësaj shkrese Ferdinand Shehu për periudhën 2006-2011 ka mbajtur funksione drejtuese në Agjensinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Urbane (ish Person i Ekspozuar politikisht).

Me datë 01.08.2019 Policia e Shtetit ka dhënë deklaratën për shtyp si më poshtë ku ka deklaruar: “Finalizohet operacioni… për sekuestrimin e 1,500,000 eurove llogari bankare, të një shtetasi, ish-punonjës i administrates shtetërore i cili në vitet 2006-2011 ka mbajtur funksione zyrtare në Agjensinë’ e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Urbane.”.

Bazuar në urdhërin nr. 51, datë 29.07.2019 me numër protokolli 1455/1, me datë 29.07.2019 të DPPPP, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë me shkresën nr. 12095 prot., datë 31.07.2019 i ka dërguar ABI Bank vendimin për sekuestrimin e llogarive bankare.

Paditësi Ferdinand Shehu së bashku me familjen në datë 01.08.2019 ka qenë jashtë shtetit me pushime. Paditësi ka pretenduar se ka provuar që të përdorë kartën e kreditit dhe ka konstatuar se kjo kartë ishte e blokuar. Ai ka deklaruar se detyrimi për të kryer pagesa ndaj njësive akomoduese të prenotuara dhe për t’u kthyer në Shqipëri e detyruan të ndërmarrë me familjen një udhëtim me shumë rreziqe.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë me datë 13.01.2020 i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me kërkesën për pushimin e procedimit penal. Me vendimin nr. 615 akti, datë 27.02.2020 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur: “Pranimin e kërkesës së organit të prokurorisë. Pushimin e çështjes penale nr. 5888/2019, i regjistruar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në datë 31.07.2019, për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.”. Vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë ka marë formë të prerë me datë 10.06.2020.

Nisur nga sa më sipër paditësi i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë më kërkesëpadinë objekt gjykimi në datë 28.05.2021.