Të rinjtë shqiptarë preferojnë që të punojnë në kompanitë e mëdha ndërkombëtare. Sipas një sondazhi të “Deloitte”, titulluar “Hapat e Parë në Tregun e Punës 2020”, kapitulli i Shqipërisë, gati 50% e të anketuarve kanë zgjedhur kompanitë e mëdha ndërkombëtare, si preferencën e tyre kur pyeten se në cilat kompani do të donin të punonin.
Kjo zgjedhje, sipas raportit, lidhet shumë me kulturën organizative të këtyre kompanive, të cilat kanë në fokus zhvillimin dhe mbajtjen e kapitalit njerëzor dhe trajtimin e punonjësve si talente dhe asetin më të çmuar për ta.
E dyta është preferenca për të punuar në një biznes personal që përforcohet edhe në vrojtimin e këtij viti. 15.4% e të anketuarve pohojnë se do të preferonin të punonin në biznesin e tyre. Për kompanitë e mëdha kombëtare kanë shprehur preferencën 9.6% e të anketuarve dhe për start-up vetëm 3.2%.
83.6% janë të gatshëm të zhvendosen jashtë vendit për punë
Një temë e nxehtë diskutimi në vendin tonë lidhet edhe me largimin e të rinjve nga vendi për shkak të punës. 86.3% e të rinjve do të ishin të gatshëm të zhvendoseshin në një shtet tjetër për shkak të punës. Vihet re një ulje e këtij trendi krahasuar me vitet e mëparshme, sidomos në rastin e atyre të cilët janë absolutisht të gatshëm për t’u zhvendosur.
Pyetur nëse pandemia COVID-19 ka ndikuar në gatishmërinë e tyre, vetëm 19.9% janë shprehur se gatishmëria e tyre është ulur. Pjesa tjetër konfirmojnë se kjo gatishmëri nuk ka ndryshuar (64%) apo është rritur (16.1%).
Edhe në nivel rajonal, të rinjtë do të ishin të gatshëm të zhvendoseshin jashtë vendit për shkak të punës.
E lidhur kjo edhe me dëshirën e tyre për tu zhvilluar profesionalisht, për të përfituar përvoja të larmishme pune dhe jetësore, ky aspekt mund të konsiderohet si një karakteristikë e
e brezit Millennials, thuhet në raport.
Mundësia për t’u rritur në karrierë, si zgjedhja e parë
Kur zgjedhin një punëdhënës, faktori më i rëndësishëm për ta është mundësia për t’u rritur profesionalisht dhe në karrierë dhe kjo është zgjedhja e parë për 57% të pjesëmarrësve në vrojtim. Nuk është e re se faktori pagë vazhdon të jetë një faktor i rëndësishëm në këtë drejtim.
Ndërkohë për faktorët e tjerë, nuk ka dallime të qarta mes grupmoshave.
Niveli i preferuar i pagës
Një aspekt tjetër i rëndësishëm që analizon ky vrojtim janë pritshmëritë mbi nivelin e pagës:
43.7% janë shprehur se do të donin të fitonin 251 deri në 500 euro në muaj. Në këtë kategori përfshihen pjesa më e madhe e pjesëmarrësve në vrojtim të grupmoshave 18-22 vjeç dhe 21-24 vjeç, të cilët janë në fillimet e karrierës profesionale.
Pyetur se si do të ishte përgjigjja e tyre nëse do të ishin pyetur para pandemisë, 27.3% kanë vlerësuar se do të dëshironin të fitonin më shumë, 70.2% janë përgjigjur se do ta vlerësonin me të njëjtën vlerë dhe 2.5% do ta vlerësonin më ulët.
Të punuarit në formë hibride, preferohet online
Me ardhjen e COVID-19 dhe masave që u morën nga qeveria për mbrojtjen dhe sigurinë e qytetarëve, shumë kompani ashtu si dhe universitete u detyruan të përqafonin të punuarit/mësuarit në distancë. Kjo mënyrë e re pune solli edhe diskutimin më të madh që po haset lidhur me të ardhmen e punës. Pjesa më e madhe e jona përpara pandemisë njihte një mënyrë pune, atë nga zyra; gjatë pandemisë mësuam sesi të punonim nga shtëpia dhe sot, kur kemi pasur mundësi të jetojmë të dy mënyrat, diskutojmë sesi do të donim të ishte e ardhmja e punës: plotësisht në zyrë- formë hibride- apo plotësisht në shtëpi.
Për vetë rëndësinë që ka forma e punës, edhe të rinjve pjesëmarrës në vrojtim iu drejtua kjo pyetje.
51.8% e të anketuarve u përgjigjën një ose dy herë në javë do të preferonin të punonin në distancë. Gjithashtu një numër i konsiderueshëm janë përgjigjur se preferojnë të punojnë më shumë se një javë në muaj në distancë (17.3 për qind).
Vlerësimi i pamjaftueshëm i nxit punonjësit të ikin nga puna
Elementi i fundit i cili plotëson profilin e të rinjve lidhur me punën janë edhe arsyet kryesore për të ndryshuar punëdhënës.
Të dhënat tregojnë se paga e ulët, nuk është vlerësuar si aspekti parësor nga pjesëmarrësit në vrojtim për ndryshimin e punëdhënësit. 47.4% e tyre janë përgjigjur se mos-vlerësimi i punës së tyre është komponenti kryesor i cili do ti orientonte ata drejt marrjes së një vendimi për të ndryshuar punëdhënës;
17.6% e tyre shprehen se pamjaftueshmëria e mundësive për zhvillim dhe rritje profesionale do t’i orientonte ata drejt kërkimit të varianteve të tjera dhe 11.9% e konsiderojnë atmosferën e keqe dhe marrëdhëniet jo të mira në punë si shkaktarët kryesorë që çon në prishjen e marrëdhënies së punës.
Të gjithë këto elemente tërheqin vëmendjen për rëndësinë që duhet t’i kushtojnë bizneset në vend sistemit të vlerësimit të performancës së punonjësve dhe lidhjen e saj me skemat e shpërblimit dhe shtegun në karrierë, rekomandon raporti.
Vrojtimi me temë “Hapat e Parë në Tregun e Punës” është realizuar në muajt tetor – nëntor 2020, gjatë një periudhe pesë javore.
Numri i studentëve dhe i të diplomuarve të cilët plotësuan vrojtimin arrin 1081, numër i cili shënon një rritje krahasuar me edicionet e kaluara (965 në vitin 2017, 259 në vitin 2015 dhe 79 në edicionin e vitit 2013). /Monitor