Në komisionin për punën, çështjet sociale dhe shëndetësinë ishte parashikuar ditën e sotme një dëgjesë me Ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe ministren e Arsimit Evis Kushi për masat e marra për fillimin e vitit shkollor dhe akademik për përballimin e pandemisë.
Që në nisje të mbledhjes së Komisionit, drejtuesja Albana Vokshi tha se në mbledhje ishte vetëm ministrja e shëndetësisë, ndërkohë që ajo e arsimit nuk kishte shkuar, me pretendimin se kishte një axhendë tjetër.
Vokshi tha se pyetjet për Kushin duhet që të bëhen vetëm në momentin kur vetë ministrja do të jetë e pranishme në mbledhje.
“Ministrja e Arsimit nuk merr pjesë në dëgjesë, është hera e tretë që nuk paraqitet në Komision. Axhendën e komisionit nuk e bën ministrja, duhet të ishte në mbledhje. Sado që të fshihet është e detyruar që një ditë të vijë këtu dhe të na përgjigjet për masat që janë marrë dhe për masat që nuk janë marrë”, u shpreh Vokshi.
Ndërkohë që deputetja e PS Klodiana Spahiu tha se ministrja Kushi ka dhënë këto përgjigje njëherë tjetër në komisionin e Edukimit, dhe sa kohë që zv.ministrja është e pranishme, mbledhja duhet të vijojë.
Vokshi këmbënguli se ministrja është e detyruar që të shkojë në Komision, dhe në rast se kjo nuk ndodh, do të duhet që komisioni të mblidhet sërish në ditën e mërkurë.
Edhe Petrit Vasili i LSI-së deklaroi se mbledhja duhet të vazhdojë vetëm me praninë e Kushit, dhe jo me zëvendësen e saj.
‘Kuvendi i Shqipërisë votëbeson vetëm ministrat, jo zëvendësministrat’, u shpreh Vasili.
“Vazhdojmë punën me ministren e shëndetësisë, ditën e mërkurë vjen këtu ministrja Kushi”, tha më tej Vasili.