Më shumë se 600 kilogramë kokainë u gjetën të fshehura në kontejnerë në një port në Guatemalën lindore , njoftuan autoritetet të hënën (1 tetor).
Sekuestrimi i 616 kilogramëve kokainë u bë në “Puerto Santo Tomas de Castilla”, rreth 200 kilometra në verilindje të kryeqytetit, në bregdetin e Karaibeve, tha zyra e prokurorit, Juan Luis Pantaleon.
Sipas autoriteteve sasia e drogës kishte vlerën e 8.5 milionë dollarëve.
Mësohet se kontejnerët erdhën nga Panamaja, por origjina e kokainës nuk është përcaktuar ende, tha Edwin Monroe, një zëdhënës i policisë.
Sipas autoriteteve amerikane, 90% e kokainës së prodhuar në Amerikën e Jugut, e destinuar për në SHBA transportohet me avionë të vegjël, nëndetëse lundruese apo të improvizuara, të cilat kalojnë nëpër vendet e Amerikës Qendrore.
Në to funksionojnë rrjetet kriminale vendase në bashkëpunim me kartelet ndërkombëtare.
Sipas autoriteteve të Guatemalës, incidentet e dhunshme të lidhura me trafikun e drogës dhe bandat e krimit të organizuar janë përgjegjëse për pothuajse gjysmën e 3,500 vrasjeve të regjistruara në vend mesatarisht çdo vit./Ora News/