Banka e Shqipërisë paraqiti të premten në Komisionin Kuvendor për Ekonominë dhe Financat opinionin mbi Projektbuxhetin e vitit 2022. Guvernatori, Gent Sejko, tha se Banka e Shqipërisë këshillon përfshirjen e tavaneve ligjore afatgjata mbi vlerën e përgjithshme të kontraktuar të PPP-ve.
Sipas tij, ky rregullim do të ishte një element plotësues i kontrollit të nivelit të rrezikut potencial që PPP-të mund të kenë mbi shëndetin e financave publike. Gjithashtu, ai kërkoi integrimin e procesit të kontraktimit dhe përzgjedhjes së PPP-ve me programin strategjik të investimeve dhe përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve profesionale të njësive që administrojnë vlerësimin, kontraktimin dhe monitorimin e këtyre projekteve, sidomos sa i takon detyrimeve ligjore dhe financiare që ato i ngarkojnë Buxhetit.
Në raport me investimet publike në përgjithësi, Banka e Shqipërisë gjykon se procesi i përzgjedhjes së projekteve të investimeve mund të përmirësohet më tej, nëpërmjet adoptimit të një strukture formale të vlerësimit të rentabilitetit të tyre në kohë.
Banka e Shqipërisë u shpreh në favor të nisjes së procesit të konsolidimit fiskal gjatë vitit 2022. Sipas projeksioneve të Projektbuxhetit, deficiti buxhetor programohet të ulet në 5.4% të PBB-së për vitin 2022, kundrejt nivelit 6.8% të pritur për vitin aktual. Po ashtu, deficiti primar programohet të regjistrojë një konsolidim prej 1.9 pikë përqindjeje të PBB-së gjatë vitit 2022, ndërsa borxhi publik bruto parashikohet të reduktohet me 1.1 pikë përqindjeje.
Sejko tha se, në mungesë të rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe nevojës e përfundimit të procesit të rindërtimit, konsolidim do të duhej të ishte edhe më ambicioz.
“Ne mirëpresim adoptimin e një objektivi numerik për ritmin e konsolidimit fiskal, të materializuar përmes vendosjes në Ligjin Organik të Buxhetit të një objektivi mbi një balancë primare pozitive duke filluar nga viti 2024. Në këtë prizëm, Banka e Shqipërisë inkurajon adoptimin e dispozitave në Projektbuxhet, të cilat mundësojnë përshpejtimin e ritmit të konsolidimit fiskal gjatë vitit 2022 – pra reduktimin e mëtejshëm të deficitit dhe të borxhit – në rast se të ardhurat buxhetore rezultojnë më të larta se pritjet apo në rast se nevoja për subvencionimin e importeve të energjisë rezulton më e ulët se vlerësimi aktual. Ne sugjerojmë rishikimin e dispozitave të nenit 7 të Projektligjit për Buxhetin e vitit 2022, duke mundësuar që të ardhurat në formë granti me destinacion financimin e rindërtimit të dëmtimeve të tërmetit të përdoren për reduktimin e deficitit buxhetor. Banka e Shqipërisë inkurajon një ritëm më të shpejtë të konsolidimit fiskal në horizontin afatmesëm dhe afatgjatë dhe vlerëson se ky konsolidim, në linjë dhe me adoptimin e strategjisë afatmesme të të ardhurave publike, duhet të bazohet më shumë në rritjen e të ardhurave sesa në shkurtimin e shpenzimeve publike,” tha Sejko.
Banka e Shqipërisë sugjeron nevojën për vëmendje të vazhduar nga autoritetet fiskale ndaj ecurisë së të ardhurave, për të identifikuar në kohë diferencat e mundshme negative midis faktit dhe planit, si dhe për të marrë masat e nevojshme për kontrollin e deficitit buxhetor dhe të borxhit public. Gjithashtu, ajo inkurajon zbatimin në kohë dhe me vendosmëri të masave që mbështesin formalizimin e ekonomisë.
Sejko tha banka qendrore gjithashtu vlerëson të domosdoshëm finalizimin dhe zbatimin në një kohë sa më të shpejtë të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave publike. Ndër të tjera, kjo strategji duhet të synojë thjeshtimin e sistemit tatimor, rritjen e qëndrueshmërisë në kohë të tij dhe shmangien e përjashtimeve tatimore joefektive. Së bashku me rritjen e formalizimit, kjo do të mundësojë rritjen e shkallës së grumbullimit të të ardhurave dhe përmirësimin e konkurrencës, brenda dhe midis sektorëve.
Marrë nga: Monitor