Në qarkun e Elbasanit lista e Bindjes Demokratike do të kryesohet nga Erjon Murataj.
Në studion e Ora News ai u shpreh se 30 vitet e demokracisë kanë sprovuar çdo politikanë, ndaj bëri thirrje që votat në 25 prill të shkojnë për të rinjtë.
“Një borxh që i kemi vendit është mospërfaqësimi dinjitoz në parlament.Familjarët tanë me “besën”e dhënë ndaj përfaqësuesve politikë që deri sot na kanë drejtuar kanë bërë një akt që ka sjellë një gjendje si kjo që sot kemi. Është jo logjike që një djalë në moshën 33 vjeçare si unë ka parë në moshën 5 vjeçare të njëjtat fytyra që shikon sot dhe fëmija im rrezikon që në momentin që do të arrijë të përceptojë të shikojë të njëjtat fytyra. Një politikan i sprovuar për 30 vjet nuk ka çfarë ti premtojë më vendit. Diskutojmë akoma ujë dhe drita 24 orë, kishte dalë dhe një zotëri tjetër që premtonte edhe kredi”.
Murataj zbardhi pjesë nga programi i Bindjes Demokratike teksa tha se problemet që lidhen me pronat do të marrin zgjidhje brenda mandatit të parë.
Murataj shkon më tej duke garantuar se Bindja Demokratike do të jetë forcë përcaktuese e qeverisë së ardhshme.
Partia Bindja Demokratike e drejtuar nga ish-deputeti demokrat Astrit Patozi do të garojë e vetme në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.