Ka shkuar në 25 numri i protestuesve të shoqëruar pas protestës së ish-kryeministrit Sali Berishës që degjeneroi në dhunë në selinë e PD-së. 8 persona të shoqëruar ndodheshin brenda selisë se Partisë Demokratike.
“Shërbimet e Policisë vijojnë veprimet hetimore dhe shoqërimin e personave të përfshirë në veprime të dhunshme dhe shkatërrim të pronës gjatë protestës së zhvilluar pranë PD. Deri tani janë shoqëruar 25 nga protestuesit dhe 8 persona që ndodheshin brenda selisë se Partisë Demokratike. Vijojnë veprimet e shoqërimet”.
Shumica e të shoqëruarve janë kapur në flagrancë dhe akuzohen për shkatërrim prone, kundërshtim të forcave të policisë dhe bllokim të qarkullimit rrugor. Prej orës 13:00 ekspertet ligjore po grumbullojnë provat materiale të lëna pas nga dhuna si edhe vëzhgimin e kamerave të sigurisë së selisë blu për identifikimin e gjithë atyre që thyen rendin dhe sigurinë publike.
Drejtuesja e prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imeraj me grupin hetimor dhe drejtuesit e policisë së Tiranës ndodhen në selinë e PD-së për të mbledhur provat.
Protesta u mbyll pas 3 orësh, ku pati akte të shumta dhune. Berisha u tërhoq duke mbyllur tubimin me premtimin se do të rikthehet sërish deri në arritjen e qëllimit final që është largimi i Lulzim Bashës nga zyra