Pritej që brenda fillimit të vitit 2022, çmimet e produkteve do të fillonin të stabilizoheshin, por sipas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, projeksionet kishin ndryshuar dhe si pasojë çmimet do të vazhdojnë të jenë të larta të paktën deri brenda 6 mujorit të këtij viti.

Guvernatori Sejko u shpreh se kreditimi, punësimi dhe rritja ekonomike mbeten të gjitha në trend pozitiv, por rritja e fortë e çmimeve dhe pandemia sipas tij janë rreziqe që mund të ndalojnë procesin e rimëkëmbjes së vendit.

“Norma e inflacionit pritet të mbetet mbi objektivin tonë prej 3% gjatë vitit aktual, si pasojë e çmimeve të larta në tregjet ndërkombëtare. Këto goditje kanë rezultuar më të forta dhe të qëndrueshme se vlerësimet tona fillestare.

Megjithatë, kjo goditje pritet të ketë efekte të përkohshme. Analizat tona dhe të institucioneve ndërkombëtare sugjerojnë se tregjet do të normalizohen gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti dhe se efekti i goditjeve të huaja në inflacionin shqiptar do të vijë në rënie.”

Edhe pse inflacioni është rritur përtej objektivit, Guvernatori Sejko u shpreh se normat e interesit nuk do të ndryshojnë:

“Në gjykimin e Këshillit, niveli aktual i stimulit monetar i shërben respektimit të objektivit tonë të inflacionit, ndihmon rimëkëmbjen e mëtejshme të ekonomisë shqiptare, si dhe ruan një balancë të drejtë midis rreziqeve që çmimet e larta në tregjet ndërkombëtare mund të kenë mbi nivelin e çmimeve dhe aktivitetit ekonomik në vend.”