Pas pushimit, Serie A kthehet në fushë dhe menjëherë emocionon me derbin i Milanos. Për Interin është një shans i madh për t’u distancuar nga Milani dhe provuar një arratisje të re drejt titullit, nëse edhe Napoli e lejon. Trajneri i zikaltërve, Simone Inzaghi, mbajti konferencën e zakonshme për shtyp para ndeshjes.
Riktheheni në fushë me derbin. Çfarë ndeshjeje prisni nesër kundër Milanit?
Do të jetë një periudhë intensive dhe stimuluese, përballë kaq shumë kundërshtarëve prestigjiozë radhazi. Derbi është shumë i përzemërt dhe ne jemi të vetëdijshëm, të fokusuar dhe shpresoj që djemtë ta luajnë me mendje të lirë dhe përqendrim.
A mendoni se duke fituar nesër mund ta përjashtoni Milanin nga gara për titull?
Mendoj se jo, ne pamë se çfarë ndodhi në ndeshjen e parë, kur ishim -7 pikë nga kuqezinjtë. E rikuperuam këtë diferencë. E dimë se çfarë është derbi për tifozët, por ka edhe 15 ndeshje dhe 45 pikë në lojë.
Çfarë provash fuqie duhet t’i japë Interi kampionatit?
Ne filluam një rrugëtim të gjithë së bashku me vetëdijen se do të kishte të panjohura, të paktën në startin e sezonit. Kemi punuar për të bërë më të mirën dhe tani nuk duhet ta ulim vigjilencën. Përkundrazi, duhet të jemi të përgjegjshëm nga këtu deri në fund.
Stadiumet rihapen me 50%, a do të jetë penalizuese kjo për një derbi kaq të rëndësishëm?
Do të ishte e drejtë ta shihja “San Siro” plot, këto dy skuadra e meritojnë. Në ndeshjen e parë, me 75% ishte një atmosferë ndryshe, por padyshim që ndryshon duke luajtur me 80 mijë tifozë dhe jo me 35 mijë. Shpresojmë që lajme të mira do të vijnë së shpejti në këtë drejtim.
A jeni i kënaqur me merkaton?
Ne kemi menaxherë të shkëlqyer dhe një president të madh, që është edhe fizikisht me Interin për momentin. Kemi blerë dy lojtarë që mund të na ndihmojnë. Do të duhet pak kohë për Robin, por është një blerje e shkëlqyer. Unë e kam stërvitur Caicedo, ndaj nuk kam asnjë dyshim për të.
Kush do t’i godasë penalltitë?
Ne kemi një listë që ju e dini, të shohim nëse do të ndodhë nesër. Lautaro është ekzekutuesi kryesor, por kemi caktuar edhe Calhanoglu e Perisic.
Kush është i favorizuar nesër?
Nuk ka favoritë në derbi. Aq më tepër në këtë derbi me dy skuadra shumë të forta dhe të organizuara. Motivimet dhe episodet do të bëjnë diferencën, duhet t’i trajtojmë kuqezinjtë në mënyrën e duhur.
Krahasuar me ndeshjen e parë, a është Milani më i fortë?
Pas asaj ndeshjeje, kuqezinjtë patën një rënie të lehtë falë dëmtimeve. E njoh Piolin, e di sa i përgatitur është. Që nga Empoli e këtej, kuqezinjtë kanë luajtur ndeshje të shkëlqyera.
A ka një derbi të Milanos që e mbani në zemër?
Ka shumë, kur ishim fëmijë, me vëllain tim Filippo dhe babin shkuam për të parë Piacenza. Më kujtohen ato kundër Cremonese, por derbet e Milanos më sjellin ndërmend Rumenigge, Altobelli, Beccalossi.
Si janë amerikano-jugorët? E keni caktuar formacionin?
E pashë Lautaron mjaft mirë, Sanchez më siguroi se është në mënyrën më të mirë të mundshme, do ta shoh edhe sot. Mungojnë Gosens dhe Correa, i cili pas dy javësh është i qetë dhe shpreson të përshpejtojë rikthimin e tij.