Humbi babanë nga Covid, Gentian Zenelaj rrëfen pengun që i ka

Disa javë më parë, Gentian Zenelaj, zbuloi përmes postimeve në rrjetet sociale se kishte humbur babanë, pas betejës me Covid-19. Në atë periudhë, aktori i njohur i humorit ishte i shtruar në spital pasi ishte i infektuar me koronavirus, e si pasojë nuk mund t’i jepte dot të atit lamtumirën e fundit.

E një gjë e tillë i ka mbetur peng Zenelajt. Ai ka qenë së fundmi i ftuar në emisionin “Rudina” ku ka rrëfyer se fakti se nuk mundi dot që të ishte në varrimin e babait, ka ndikuar keq në shëndetin e tij.

Në ditën më të keqe të sëmundjes që ishte dita 10, unë humba babanë. Ajo është një ditë që influencoi shumë keq në shëndetin tim sepse unë mendoj që kjo sëmundje është thellësisht e lidhur me gjendjen tënde emocionale.

Atë ditë u ndjeva shumë keq, babai im kishte më shumë se dy javë që ishte shtruar në spital dhe ikja ime nga përkujdesja, mua më përkeqësoi shumë. Fakti që nuk isha për t’u përkujdesur, për të çuar gjërat që kishte nevojë dhe gjithë kjo barrë i ra bashkëshortes sime. Unë kisha edhe mamanë time të sëmurë me Covid në Shëngjin”, tha aktori.