Skerdi Tase, personi që qëlloi 3 herë me armë në drejtim të makinës së Lulzim Mashës, ka deklaruar në polici se ka ngatërruar shënjestër.

Në dëshminë e tij të siguruar nga Top Channel, ai tregon se kishte patur konflikt me një person tjetër, i cili e kishte makinën e njëjtë me Lulzim Mashën. Autori tha para hetuesve se armën e kishte sjellë në Tiranë dhe më pas e kishte fshehur te parku i Liqenit Artificial.

Në muajin janar kisha ardhur për disa ditë në qytetin e Tiranës dhe kam qëndruar në banesën e vëllait Nikolin Tasi në lagjen “Ali Demi”, por kam qëndruar edhe në banesën e Arjan Hoxha nga Tepelena, i cili jeton në lagjen “Astir”.

Më datë 18 janar, rreth orës 07:30-08:00 kam dalë nga banesa e vëllait në lagjen “Ali Demi” dhe kam udhëtuar në këmbë i vetëm me drejtim parkun e Liqenit Artificial. Më kujtohet që aty ku ndodhet një pallat i lyer si me të kuqe që unë e njoh si pallati me perde kam marrë rrugën e shtruar që vjen rreth liqenit duke ikur me drejtim për nga teatri derisa kam dalë nga pjesa me pemë dhe kam vazhduar po në këmbë derisa kam mbërritur pranë një fushe volejbolli si dhe janë disa bar kafe.

Në atë vend kam qëndruar rreth një orë në këmbë duke pritur. Nuk më kujtohet sa ka qenë ora, kam parë automjet ML me targa Tirane, për të cilin mendova se ishte e një personi që dy javë më parë kisha një debat. Në momentin që pashë automjetin kam nxjerrë një armë zjarri të tipit automatike skorpiones dhe kam qëlluar mbi makinën.

Në momentin që e pashë se personi që ishte në makinë nuk ishte ai që prisja, kam ndaluar së shkrepuri armën dhe jam larguar me vrap, por kam vënë re se drejtuesi i automjetit iku disa metra përpara dhe u kthye me makinë prap. Menjëherë pas momentit  të qëllimit, kam marrë rrugën dytësore paralel me autostradën duke marrë drejtimin për nga diga e liqenit dhe që ishte shëtitorja e liqenit, armën e kam futur poshtë xhupit për ta fshehur. Pas kam ecur rreth 300 metra, armën e kam hedhur në ujërat e liqenit rreth 10-15 metra nga bregu, vend të cilin e mbaj mend vetëm po të afrohem atje.

Pas hedhjes së armës, kam vazhduar rrugën në këmbë për tek kryqëzimi i 21-shit, ku pasi mbërrita kam gjetur një furgon me të cilin kam udhëtuar deri në qytetin e Fierit. Në Tiranë e kam sjellë disa ditë para se të ndodhte ngjarja, e kisha fshehur në parkun e Liqenit Artificial”, thuhet në dëshminë e tij.

Skerdi Tase mohoi njohjet me Lulzim Mashën, teksa tregoi se armën e zjarrit e ka patur në banesën në qytetin e Levanit prej trazirave të vitit 1997.