Bashkia e Elbasanit ka shpenzuar miliona lekë për zbukurimet e ditës së Verës, pavarësisht se në situatën ku ndodhemi nuk lejohen grumbullimet.
Vitin e kaluar, bashkia e Elbasanit kur kishte vetëm 2 raste të konfirmuara me Covid-19 në të gjithë qarkun anuloi të gjitha aktivitetet e planifikuara për Ditën e Verës.
Këtë vit duket se ka ndodhur e kundërta pasi janë programuar një sërë aktivitetesh, pavarësisht se në qytet janë 625 raste aktive me covid-19.
Bashkia do të aktivizojë aktivitete ku do të ketë dhe pjesëmarrës në panairin i cili do të shtrihet përgjatë gjithë murit të Kalasë së Elbasanit.
Do të zhvillohet një panair agro-ushqimor ku fermerë nga i gjithë qarku i Elbasanit do të prezantojnë produktet e tyre.
Aktivitetet do të vazhdojnë në hyrje të portës së Kalasë ku do të ketë një ekspozitë me piktura dhe do të jenë të ftuar personalitete të qytetit.
Në parqet e qytetit është menduar krijimi i disa ekspozitave për fëmijë, ku fëmijët do të kenë mundësi të pikturojnë.
Bashkia ka informuar ne së datën 14 mars hyrja në Muze do të jetë e lirë për të gjithë qytetarët që kanë dëshirë ta vizitojnë shtëpinë muze të Elbasanit.
Shpenzimet për këtë ditë kapin vlerën e 36 milionëve.
E pranishme do të jetë edhe policia bashkiake për të bërë të mundur ruajten e distancës dhe për të këshilluar qytetarët të vendosin maskën.
Nënkryetarja e bashkisë Elbasan thotë se: “Kaloi një vit me sfida të paparashikuara nga askush, një vit i vështirë jo vetëm për bashkinë e Elbasanit dhe Shqipërinë por për mbarë botën. Duke qenë se natyra është më kokëfortë se gjithçka, stinët rrokullisen, pranvera erdhi, dielli ngroh më mirë, lulet kanë çelur. Është e drejtë e natyrshme që ne t’i bashkë-ngjitemi kësaj alegrie të stinës pavarësisht mënyrave tona të reduktuara. Kemi menduar që t’i shkonim për shtat stinës së pranverës dhe kësaj feste duke ideuar dhe duke realizuar një dekor me lule dhe kemi dashur të sjellim të gjitha ngjyrat e pranverës përmes luleve.”
ORA NEWS