Kryeministri Edi Rama është shprehur në punimet e Asamblesë së PS, se të gjithë duhet të kthejnë sytë nga njerëzit sepse garancinë për të qëndruar në pushtet nuk ua japin punësimet në shtet, por njerëzit dhe përfaqësimi dinjitoz para tyre.
“Garancinë për të qeverisur më tutje nuk na e japin punësimet në shtet, e kam thënë dhe do vazhdoj ta them, garancinë për të qëndruar më tutje na e jep një PS që arrin në territor të na përfaqësoj me dinjitet. Të konkurrojë ashtu si duhet me njerëzit. Pa harruar asnjëherë që anëtarësia jonë reale është 60-70 mijë dhe votuesit janë më shumë se 700 mijë”, u shpreh Rama.
Për këtë, kryetari i PS mori shembull kundërshtarët politikë. “Larg qoftë të përfundojmë seç kanë përfunduar kundërshtarët tanë, të cilët e kthyen partinë në një detashment të pushtetit dhe ja ku janë”, tha Edi Rama. Ai foli dhe për disa risi të kohës që socialistët duhet t’i vënë në zbatim.
Pjesë nga fjala e kryetarit të PS Edi Rama:
Garancinë për të qeverisur më tutje nuk na e japin punësimet në shtet, e kam thënë dhe do vazhdoj ta them, garancinë për të qëndruar më tutje na e jep një PS që arrin në territor të na përfaqësoj me dinjitet. Të konkurrojë ashtu si duhet me njerëzit. Pa harruar asnjëherë që anëtarësia jonë reale është 60-70 mijë dhe votuesit janë më shumë se 700 mijë.
Larg qoftë të përfundojmë seç kanë përfunduar kundërshtarët tanë, të cilët e kthyen partinë në një detashment të pushtetit dhe ja ku janë.
Partia Socialiste dixhitale duhet të bëhet fuqia që ende na mungon. Është e pajustifikueshme që të na mungojë. Koha po ndryshon me shpejtësi. Ne arritëm ta bëjmë Shqipërinë vendin e parë në rajon dhe ndër të paktat në Europë që shërbimet i jep duke eleminuar sportelet. Është e pamundur që ne të mos jemi në avangardën e transformimit të jetës politike.
Duhet bërë më shumë punë nga të gjithë që kjo gjë të kuptohet nga të gjithë këtu, nga të gjithë drejtuesit e rinj të partisë dhe pastaj kjo të përçohet në të gjithë organizmin e partisë. Është një armë me fuqi marramendëse që PS nuk e ka luksin ta lërë varur në mur, por ta vërë në përdorim.
Duhet të ecim dhe me bërthamat rinore që janë në gjithë vendin, që brenda këtij viti të kemi një rrjet rinor të çliruar nga të gjitha hijet e së shkuarës. Një rrjet rinor i hapur dhe ku të gjithë të rinjtë së bashku të ndihen mirë. Paralelisht duhet filluar dhe me rrjetin e koordinatorëve të PS. Për çdo qark e për çdo njësi.