Edi Rama i përgjigjet menjëherë shefit të SPAK Arben Kraja, i cili pak minuta më parë reagoi për akuzat që kryeministri i bëri në mbledhjen e sotme të Asamblesë së Partisë Socialiste. Kraja u përgjigj se SPAK merrej me kallëzime dhe jo me deklarata politike.

Për këtë ka reaguar përsëri, tani, kryeministri Rama, i cili thotë se nuk i heq asnjë presje deklaratës së tij për Prokurorinë Speciale, sepse i shkoi ” pas avazit Armikut NR.1 të Reformës në Drejtësi, Ilir Metës!”

Unë nuk i heq asnjë presje asaj që deklarova sot dhe nuk mjafton që SPAKU të thotë se e paska pushuar çështjen, pasi faktikisht e mori peng gjykatësin në fjalë pa asnjë arsye në botë, duke i shkuar praktikisht pas avazit Armikut NR.1 të Reformës në Drejtësi, Ilir Metës!

Meqë ka marrë përsipër të sqarohet SPAKU do të duhej të sqaronte pse reagoi rrufeshëm për një kallzim absurd për një vepër penale imagjinare të njeriut të shpallur nga DASH kampion i antikorrupsionit, ndërkohë që për kampionët e korrupsionit në drejtësi s’ka lëvizur ende gishtin”, shkruan Rama në Twitter.

Kryeministri Edi Rama akuzoi sot Prokurorinë Speciale se kishte nxituar të hetonte Ardian Dvoranin dhe kishte bllokuar promovimin e tij në detyrë për një denoncim të Ilir Metës. Sipas Ramës, kur gjithë Shqipëria mezi pret që para drejtësisë të dalë Berisha dhe Meta, pengohet Dvorani.

Në mbledhjen e Asamblesë së PS, Edi Rama ju referua dhe vlerësimit të ish-kreut të KED, Ardian Dvorani, me titullin kampion i luftës antikorrupsion në Shqipëri. Vlerësim i dhënë nga Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken.