Kryeministri Edi Rama është takuar sot në Bruksel me shefin e NATO-s, Sekretarin e Përgjithshëm Jens Stoltenberg, të cilit i ka prezantuar nga afër projektin e Shqipërisë për ndërtimin e një baze ushtarake të Aleancës në Porto Romano.

Në fjalën e tij, Stoltenberg vlerësoi rolin e vendit tonë si një anëtar i Aleancës ushtarake dhe vizitën e kryeministrit Rama në Ukrainë.

“Ballkani Perëndimor ka rëndësi strategjike për NATO-n. Ne ramë dakord që të ftojmë Finlandën e Suedinë të anëtarësohen në NATO dhe falenderoj Shqipërinë për firmosjen e dekreteve. Dera e NATO-s mbetet e hapur. NATO qëndron me Ukrainën ndërkohë që mbron veten ndaj luftës me Rusinë.

Ju ndihmoni në parandalimin e çdo agresioni ndaj vendeve aleate të NATO-s. Ndihmoni në misionin e KFOR në Kosovë. Në samitin e NATO-s në Madrid ne morëm vendime me efekte thelbësore për zgjerimin e Aleancës. Vizita juaj në Ukrainë ishte një dëshmi solidariteti. I dashur Edi faleminderit për kontributin e Shqipërisë dhe mezi pres të punojë me ju”, u shpreh Sekretari i NATO-s Jens Stoltenberg.

Ndërkohë, kryeministri Rama ashtu si dhe në Samitin e Madridit, kërkoi që Kosova të përfshihet në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s. “Por në kohët që jetojmë, është vërtetë mençuri që kjo të konsiderohet”, tha Rama.

“Jam krenar që Parlamenti shqiptar u bë një prej të parëve për të ratifikuar protokollet e anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë. Ne qëndrojmë me forcë dhe solidaritet të plot me Ukrainën. Është e padiskutueshme mbështetja jonë për sovranitetin dhe integritetin e Ukrainës brenda kufijve të njohur.

…përfshirjen e Kosovës në Partneritetin për Paqe, edhe pse e dimë se ka disa kufizime politike nga disa vende aleate. Por në kohët që jetojmë, është vërtetë mençuri që kjo të konsiderohet. E vlerësoj dhe disponibilitetin tuaj për të na kushtuar nga koha juaj, për të vënë ën dispozicion të NATO-s një bazë të fjalës së fundit, që do mund të ndërtohet… Është përherë kënaqësi të kthehesh këtu, me energji të plota e ti shërbesh kësaj aleance”, u shpreh kryeministri Edi Rama.