Mediet britanike kanë publikuar një artikull investigues që tregon se si shqiptarët shkojnë kontrabandë në Angli me gomone kundrejt një pagese deri në 5.500 paund.
GB News ka zbuluar rrjetin e shqiptarëve që kontrabandojnë bashkëatdhetarët e tyre drejt Anglisë.
Nëpërmjet Tik Tok-ut shqiptarët kontrabandë njoftojnë orarin dhe itinerarin e rrugëve, teksa mburren me transportimin e burrave, grave dhe fëmijëve nga Franca në Britani.
Videot e postuara në TikTok përfshijnë datat e kalimit, si dhe pamjet e njerëzve që largohen nga Franca dhe hipin në varka.
Sipas GB News transporti i shqiptarëve nis nga Shqipëria me destinacion Brukselin në Belgjikë, për të shkuar më pas në Francë, nga ku kalojnë me gomone kanalin anglez për të ,mbërritur në destinacionin final që është Anglia.
Një tjetër video e postuar muajin e kaluar, thoshte: “Sot kaluam tre gomone me 60 persona nga Dunkirk për vetëm 5,500 £ për person ne jemi ekipi më i fortë në Francë”.
Një burim që zbuloi disa nga videot i tha GB News: “Unë jam thjesht një qytetar dhe u futa në TikTok, ku nuk mund ta besoja atë që po shihja.
Është e pabesueshme që gjithçka është aty dhe mjaft e lehtë për t’u gjetur sapo të filloni të kërkoni. Nëse është kaq e lehtë për mua, atëherë pse autoritetet nuk po bëjnë diçka për këtë.”
Klipet e TikTok vijnë pasi 696 persona kaluan Kanalin me varka të vogla të hënën, numri më i lartë në një ditë të vetme deri më tani këtë vit.