Agron Metushi mbeti i vrarë me armë zjarri në orët e para të mëngjesit të sotëm në Vaun e Dejës. Gjithçka nisi pas një konflikti për motive të dobëta mes tij dhe autorit, Alfons Palushi.

Siç raporton gazetari Simon Shkreli viktima dhe autori kanë qenë të dehur. Mësohet se ata kanë konsumuar pija alkoolike në një lokal në fshatin Shelqet, ku edhe ndodhi ngjarja.

Pas një konflikti mes tyre, 37-vjeçari  ka shkuar në banesën e tij dhe ka marrë kallashnikovin. Në momentin që 51-vjeçari ka qenë duke u futur në automjet, Palushi ka qëlluar me breshëri në drejtim të tij. tre plumba që morri në trup rezultuan fatal për 51-vjeçarin, i cili ndërroi jetë menjëherë. Ndërkaq, mësohet se Alfons Palushi ka disa muaj qe është kthyer nga Anglia ku ka jetuar si emigrant.

Njoftimi i policisë:

Më datë 23.08.2022, rreth orës 03:00, në fshatin Shelqet, Vau i Dejës, pas një konflikti për motive të dobëta, dyshohet se shtetasi A.P., 37 vjeç, banues në fshatin Stajkë, Vau i Dejës, ka vrarë me armë zjarri shtetasin A. M., 51 vjeç, banues në Shkodër.

Nga veprimet e shpejta dhe hetimet paraprake të kryera nga Policia, dyshohet se konflikti për motive të dobëta ka nisur në lokalin e fshatit dhe menjëherë shtetasi A.P., ka shkuar në banesë ka marrë armën e zjarrit kallashnikov dhe në momentin që shtetasi A.M. ka hipur në automjetin e tij për tu larguar shtetasi A.P. e ka qëlluar me armë zjarri.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën në vendngjarje për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje.

Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorit dhe vijon kontrolli i zonës për kapjen e tij.

/abcnews.al