Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha po zhvillon sot një takim me qytetarë të Gramshit. Gjatë fjalës së tij Berisha u ndal te shpopullimi i vendit.
Sipas tij sot shqiptarët janë të paktën 20-30% më të varfër, se në 2013-ën.
“Ju përshëndes përzemërsisht. Shpreh kënaqësinë që jam sot këtu te ju. Shpreh bindjen se sot qytetarët e Gramshit, dhe të mbarë Shqipërisë, pavarësisht dhe nga bindjet partiake, ndjekin me dhimbje dhe keqardhje shkretimin e shoqërisë së tyre, të kombit të tyre, të vendit të tyre në kuptimin e shpopullimin e shpejtë dhe marramendës. Në kuptimin e një varfërie që nuk pakësohet, por vjen gjithnjë duke u rritur. Sot shqiptarët janë të paktën 20-30% më të varfër, se në 2013-ën. Jua them me vërtetësinë më të madhe. Ata sot duhet të ishin dy herë më të mëkëmbur se në 2013. Koha matet me zhvillimet që ndodhin gjatë saj. Po të pyesim së bashku veten, çfarë zhvillimesh kanë ndodhur këto 8 vite në rrethin e Gramshit, përveç projektit të Devollit, që nuk është i këtyre viteve. Është i qeverisë së mëparshme. Kam qenë në inaugurimin e Kaskadës së Devollit. Disa orë pas meje këtu erdhi Rama dhe tha; kjo është gënjeshtra e radhës e Berishës. Ai është realiteti i çmuar.”, tha Berisha.