Mijëra qytetarë me makinat e tyre dhe me flamuj kanë shkuar pranë sheshit ‘Nënë Tereza’, ku do të startojë pas pak fushata e Partisë Demokratike. Vargu i makinave ka mbërritur pothuajse deri pranë kryeministrisë, ndërsa thirrjet e organizatorëve janë të vazhdueshme për mbajtjen e maskave.

Në shesh janë bërë thirrje të vazhdueshme: Rama ik!

Në podiumin e vendosur shihen se kanë mbërritur të gjithë kandidatët për deputetë nga listat e PD-së, ndërsa i pari që do ta marrë fjalën pritet të jetë kryedemokrati Basha.

Slogani i Partisë Demokratike dhe koalicionit të saj është ai ‘Shqipëria Fiton’, ndërsa për shkak të ndalimit të grumbullimeve, është zgjedhur që mbështetësit të qëndrojnë në makinat e tyre, teksa valëvisin flamujt e PD-së.

Kënga që pritet të jetë dhe himni i demokratëve në këtë fushatë do të jetë ajo e këngëtares së njohur SIA ” ‘I Pandalshmi.

Brenda minutash pritet që në shesh të mbërrijë dhe kryedemokrati Basha, ndërkohë që qytetarët shihen se janë të pajisur me maska, dhe prania e makinave bën që ata të jenë në njëfarë distance nga njeri tjetri, duke qenë se Komiteti Teknik la në fuqi masat kufizuese të ndalimit të grumbullimeve.

Po sot Partia Socialiste do të nisë fushatën e saj në ‘Sheshin Skënderbej’, ku pritet që të jenë pranishëm të gjithë kandidatët për deputetë, të grupuar në më pak se 10 veta, në respekt të masave anticovid.

Faxnews