Aleatët e kryedemokratit Lulzim Basha konkretizojnë sot takimet dhe bisedat e tyre për të krijuar një grup të ri parlamentar, me pretendimin për të pasur më shumë kohë në dispozicion për të folur në Kuvend.

Burime bëjnë me dije për Fax Neës se ata do të mblidhen rreth orës 18:00 të pasdites së sotme, për të gjetur gjuhën e përbashkët në mënyrë që të vendosen teknikalitetet për grupin e ri. Pjesë e grupit të ri që pritet të krijohet është kreu i LZHK-së Dashamir Shehi, kreu i PR Fatmir Mediu, kreu i PAA-së Agron Duka, Vangjel Dule nga PBDNJ, ndërkohë që i vetmi që nuk konfirmon pjesëmarrjen derimë tani nga aleatët është Shpëtim Idrizi.

Për të bërë një grup parlamentar nevojiten 7 deputetë, që sipas kreu të LZHK-së Dashamir Shehi janë në radhët e demokratëve. Ai theksoi se kjo nuk është një ndarje nga PD, por një mundësi që opozita të ketë më shumë kohë në dispozicion në Kuvend.

”Nëse unë rri në grupin e PD-së, vendosem i 55-ti, a ku di unë kur bie radhë për të folur. Ndërkohë që kam drejtë të folur më shumë. Jo kur të më teket mua. Për të pasur më shumë hapësira. Për të kontribuar. Për të mos qenë të gjithë me një zë. Ne po mundohemi. Nuk ia kemi mbërritur deri më tani. Tani kemi parë kafen e parë për herë të parë. Do kalojë java e parë dhe do gjejmë një rrugë të përbashkët. PD duhet të ketë një strategji tjetër. Që t’i përfshijë të gjitha forcat”, tha mbrëmjen e djeshme në një intervistë televizive Dashamir Shehi.

Të gjithë aleatët e Lulzim Bashës u vendosën në listat e sigurta në zgjedhjet e 25 Prillit, ndërkohë që nuk dihet nëse ka pasur një dakordësi me kryetarin e PD për krijimin e grupit të ri parlamentar. Kuvendi do të ketë seancën e parë të premten, dhe deri atë ditë shumë gjëra pritet që të qartësohen, edhe sa i takon formacioneve politike në vend, dhe rreshtimit që do të kenë në parlament.