Përmes një deklarate zyrtare, Floriana Garo ka kërkuar në emër të Partisë Demokratike vendimin e Gjykatës së Apelit e cila në Dhomë Këshillimi ka pranuar ankimimin e Enkelejd Alibeaj ndaj vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri për njohjen e statutit të 11 Dhjetorit.

Sipas Garos, kjo është bërë pengesë për të ankimuar këtë vendim në kundërshtim të plotë me ligjin.

Garo ka paralajmëruar në emër të PD-së, kallëzim penal për shpërdorim detyre për cilindo personazh që pretendohet nga kjo parti se janë të përfshirë.

Floriana Garo: Jam këtu përpara jush për të denoncuar praktikat abuzive të Gjykatës së Tiranës, e cila ne vijim të ndërhyrjeve të paligjshme në procesin e konfirmimit të organeve drejtuese legjitime të partisë, vazhdon të bëhet palë  në proces, duke favorizuar një fraksion i cili pasi mbajti peng vulen e demokrateve për muaj me radhe, tani kerkon përsëri t’i bllokojë ata nëpermjet marifetesh proceduriale.

Konkretisht, që në datën 26 Prill, Partia Demokratike i ka kerkuar zyrtarisht Gjykates se Tiranës që t’i komunikojë vendimin e gjyqtare Blerina Muçaj e cila pranoi ankimin e deputetit Enkelejd Alibeaj kundër vendimit të Partisë Demokratike, me qëllim që të ushtronim të drejtën tonë ligjore të ankimit.

Prej më shumë se 2 javësh, Gjykata e Tiranës nuk kthen përgjigje dhe nuk na vë në dispozicion vendimin duke u bërë pengesë për ta ankimuar këtë vendim në kundërshtim të plotë me ligjin.

Arsyeja e vetme e kësaj manovre vonese është që dosja e regjistrimit në gjykatë te Kuvendit të 11 Dhjetorit të degdiset në gjykatën e Apelit përpara se Partia Demokratike të ketë mundësine të ankimojë vendimin e gjyqtares Muça.

Partia Demokratike i bën thirrje drejtuesve të Gjykatës Tiranë, përkatësisht kryetarit Flamur Kapllani dhe Kancelarit Donald Xhelili që të mos bëhen pjesë e këtij skenari bllokimi të paligjshëm.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike paralajmëron se nqse deri në përfundim të orarit zyrtar të ditës së hënë ende nuk do t’i jetë komunikuar zyrtarisht vendimi i gjyqtares Muça, atëherë ajo do të paraqesë kallzim penal për shpërdorim detyre për cilindo personazh të përfshirë në këtë skenar të jashtëligjshëm, pavarësisht pozicionit që mban.

Organet drejtuese legjitime të Partisë Demokratike i zgjedhin dhe përcaktojnë vetëm demokratët me votën e lirë dhe s’mund ti diktojë askush, as me vendime gjykate e as me marifete proceduriale.