Në cilësinë e zv.kryeministres Belinda Balluku ka zhvilluar pasditen e të premtes një takim me strukturat e partisë socialiste, drejtorë e drejtues të partisë në rrethin e Vlorës. Shoqëruar edhe nga drejtuesi politik i qarkut Blendi Klosi, Balluku mësohet se takimin e ka mbajtur për të lënë porosi në përgatitje për zgjedhjet e Majit. Mbledhja është mbajtur larg medias me dyer të mbyllura.

Por sipas burimeve nga brenda takimit Balluku ka folur me tone të ashpra, duke kërkuar dorëheqjen e të gjithë drejtuesve të institucioneve në këtë rreth.
Balluku qartazi ka kërkuar që të gjithë të firmosin dorëheqjen por të mos e protokollojnë. Balluku ka kërkuar gjithashtu angazhim maksimal të tyre, teksa ka shtuar se qarku i Vlorës rezulton nga më të dobtit sa i takon promovimit në rrjete sociale. Klosi sipas Ballukut po tregohet i butë me strukturat, ndaj të gjithë do monitorohen në punën e tyre në shërbim të partisë.

Mësohet se dorëheqja e drejtorëve është kërkuar edhe më herët në takimet e ditëve më parë qoftë nga vetë Klosi por edhe nga Gjiknuri në ditën e prezantimit të Klosit si drejtues politik qarku.