DVP Elbasan/Vihen në pranga 2 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 4 të tjerë, për vepra të ndryshme penale.

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmë, për shtetasin F. M., 45 vjeç, që ishte paraqitur në spital, për të marrë mjekim, pasi ishte rrëzuar nga një strukturë metalike, gjatë kohës që kishte qenë duke punuar në një firmë për përpunimin e hidrokarbureve, në fshatin Balldren, informojmë se në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasin:

F. P., 71 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë drejtues teknik në firmën e hidrokarbureve në të cilën ishte punësuar shtetasi F. M., i cili vijon të jetë në kujdesin e mjekëve.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasin P. R., 48 vjeç, banues në Elbasan, pasi u konstatua duke kryer punime ndërtimi, pa leje, në lokalin e tij.

Po nga këta specialistë u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. Ç., 48 vjeç, banues në Elbasan, pasi ka goditur me send të fortë, për motive të dobëta, shtetasin I. S., 52 vjeç, banues në Elbasan.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit F. A., K. L. dhe një 16-vjeçar, pasi në Librazhd, kanë goditur me sende të forta, për motive të dobëta, një 20-vjeçar, banues në Librazhd, i cili pasi ka marrë mjekim në Spitalin e Librazhdit, është larguar në banesë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.