Një lëvizje të shpejtë dhe pa shumë kosto ka bërë dje Barcelona, duke i dhënë fund “telenovelës” me mesfushorin francez Samuel Umtiti. Ky i fundit ka pranuar të qëndrojë blaugrana edhe për katër vjet të tjera, por me pagë të reduktuar, kurse ardhja e Ferran Torresit që kishte mbetur e bllokuar tek porta ndodhi për pasojë edhe zyrtarisht. Një lëvizje e tillë vjen si oksigjen për trajnerin Ksavi Hernandez, i cili priste që klubi të manovronte në një formë të tillë që të dy lojtarët të mbeteshin pjesë e projektit të tij për vazhdimësinë. Kështu, edhe zyrtarisht tashmë, Barcelona e ka rinovuar kontratën me qendërmbrojtësin, Samuel Umtitin deri në vitin 2026. Qendërmbrojtësi francez ka pranuar të reduktojë një pjesë të pagës që duhej të merrte në një vit e gjysmë të mbetur në kontratë. Kjo është bërë e ditur nga vet klubi spanjoll përmes një komunikate për media. Rinovimi dhe reduktimi i pagës nënkupton gjithashtu se tani Barcelona mund ta regjistrojë Ferran Torresin në La Liga. “FC Barcelona dëshiron të shprehë publikisht mirënjohjen e saj për Samuel Umtiti për gatishmërinë e tij dhe dashurinë që ai ka treguar ndaj klubit. Përmes kësaj zgjatjeje kontrate, FC Barcelona do të jetë në gjendje të rrisë kuotën e “fair-play”-it financiar’ dhe kështu të regjistrojë Ferran Torres në Ligën Profesionale të Futbollit Spanjoll”, thuhej në komunikatë. Një lëvizje që do të ketë efektet e veta pozitive në skuadër dhe për sezonin në vijim. Ndërkohë, trajneri Ksavi Hernandez ka zbuluar listën e ojtarëve të grumbulluar për njërën prej ndeshjeve më të rëndësishme të sezonit jo vetëm në Spanjë, por në mbarë botën. Kjo pasi bëhet fjalë për Klasiken e Madhe të futbollit, Real-Barcelona. Barcelona ka publikuar listën e lojtarëve për “El Clasicon” ndaj Real Madridit. Katalanasit përballen me “Los Blancos” në gjysmëfinalen e Superkupës së Spanjës të mërkurën me fillim nga ora 20:00. Ndeshjet gjysmëfinale dhe finalja luhen në Arabinë Saudite. Gjysmëfinalja tjetër është ajo mes Atletiko Madridit dhe Athletic Bilbaos. Pjesë e listës së blaugranave janë edhe Araujo, Ansu Fati dhe Frenkie de Jong që do të udhëtojnë pa aprovimin e stafit mjekësor. Nga ana tjetër, edhe trajneri Karlo Ançeloti i ka bërë lëvizjet e tij dhe sipas medieve spanjolle futbollistët më në formë do të jenë gati për këtë klasike të madhe, një klasike që do të thotë shumë sidomos për Barcelonën dhe ecurinë e saj këtë edicion. Kujtojmë që Reali i Madridit është favoriti kryesor për të fituar titullin në Spanjë