Agron Kapllanaj, i cili u komandua nga Lulzim Basha si kreu i degës së PD në Fier, dhe që u akuzua një ditë më parë nga ish-Kryeministri Sali Berisha si vegël që po përdoret nga Kryeministri Edi Rama, për shkak të tenderave që përfiton nga Qeveria, ka reaguar lidhur me akuzat.

Kapllanaj akuzon Berishën se nuk rresht së gënjyeri dhe së përçari demokratët !

Sipas Kapllanajt, Berisha po përpiqet të mbajë peng PD dhe një pjesë të demokratëve për shkak të shpalljes non grata nga SHBA.

“Për këtë hall të vetin, unë nuk e ndihmoj dot Sali Berishën, as demokratët e Fierit nuk e ndihmojnë dot me ankesat që ka nisur në Departamentin e Shtetit, Sali Berisha!

vetmja gjë që mund t’i këshillojmë e t’i kërkojmë është të ndalë përpjekjet për të përcarë demokratë, pavarësisht se dhe kaq sa ka bërë, u ka shkaktuar një dëm shumë të madh demokratëve. Sa për akuzat personale ndaj meje, se unë bashkëpunoj me Ramën, po ia përsëris dhe njëherë se balta që hedh kundër atyre që mendojnë ndryshe thjesht i bie atij në fytyrë.

Në aq shumë biznese sa ç’është përfshirë familja e tij mirë është të shohë e të bëjë llogaritë e tyre më parë se të shpifë për të tjerët.

Je katandisur si mos më keq doktor, i bëre thirrje gjithë qarkut Fier për takim dhe me zor mblodhe 200 vetë në atë sallë ku pak nga pak edhe ata të braktisën gjatë fjalim-mashtrimit tënd!

Faleminderit SHBA që na bëre të njohim Sali Berishën e vërtetë! Doktor, ti kishe gjithë mundësitë ta mbyllje me nder dhe si burrë – shteti por Zoti nuk mund ta jepte këtë privilegj të pamerituar, ndaj dhe të bëri ta mbyllje ashtu siç e meriton, me TURP!”, shkruan Kapllanaj.