Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës Artan Lame i shoqëruar nga deputetja, Blerina Gjylameti ishin së bashku për të përfunduar procesin e legalizimit për pallatet e kompleksit përballë korpusit të Kinostudios në Tiranë.

Bëhet fjalë për një kompleks banimi me rreth 110 apartamente dhe rreth 20 njësi shërbimi, dyqane. Në rastin konkret, bëhet fjalë për pallate të ndërtuara me leje që në vitin 2008, por që e kanë shkelur lejen dhe subjekti ndërtues nuk e ka ndjekur më procesin. Tashmë banorët janë organizuar vetë për të ndjekur procedurat e legalizimit. Lame theksoi se “legalizimi i pallateve të braktisura nga ndërtuesit është një histori suksesi me rreth 980 pallate të legalizuara përgjatë viteve të fundit, kur ky proces i kaloi Agjensisë së Kadastrës”. Statistikisht i bie që, afërsisht 3 në çdo 4 pallate të ndërtuara me leje përgjatë 25 vjetëve të fundit, të regjistrohen jo përmes rrugës normale, por përmes procesit të legalizimit.

Arsyet e kësaj janë të shumta, që nga shkelja e lejes nga ndërtuesit, braktisja e ndërtimit, falimentimi i subjekteve ndërtuese, konfliktet e gjithëfarllojshme midis ndërtuesve, pronarëve të trojeve dhe blerësve, abuzimet e Bashkive në dhënien e lejeve të ndërtimit firmave fantazëm, etj. Por nga ana tjetër, ky proces ka nxjerrë në pah mosfunksionimin e shumë institucioneve që prej viteve 2000, që kanë lejuar që situate të degradojë në këtë stad. Lame ju ka përsëritur thirrjen banorëve që të bëhen bashkë për të përfunduar legalizimin e pallatit dhe saktësoi se nuk mund të ketë legalizim individual. “Vinë e më kërkojnë që të bëjnë legalizimin vetëm të apartamentit të tyre. Jo. Nuk mund të legalizohet vetëm një apartament. Duhet të bëheni të gjithë bashkë për ta përfunduar këtë proces shumë të rëndësishëm.

Nga ana tjetër deputetja Gjylameti vuri në dukje eksperincat që ajo ka pasur me Kadastrën për t’i ardhur në ndihmë banorëve të zonës ku ajo është zgjedhur deputete. Gjylameti theksoi se duhet avancuar ky proces duke përfshirë në të sa më tepër edhe administratorët e pallateve, duke sjellë si shembull të mirë edhe administratorin e pallatit i cili bëri të mundur certifikimin e pallatit.