Sunny Hill Festival” këtë vit do të mbahet në Prishtinë, por edhe në Tiranë. Pas një jave të ngarkuar me akuza, kundërakuza, qeveria e Kosovës e ka gjetur mënyrën që të rikthejë festivalin e Dua Lipës në Prishtinë. Kanë nisur tashmë të konfirmohen edhe artistët e parë që do të marrin pjesë në këtë event kaq të rëndësishëm kulturor.

Më parë u bë e ditur se përveç artistëve të njohur si Diplo, Skepta, DJ Regard, AJ Tracey, Mahmood dhe artistët më të njohur shqiptarë, në këtë edicion do të zbulohen edhe dy artistë shumë të mëdhenj botërorë, të cilët do të marrin pjesë. Ndërkohë, së fundmi është konfirmuar edhe prania e artistit latin me famë botërore J Balvin. Por padyshim, emri më i lakuar për të marrë pjesë në këtë festival ishte Madonna.

Diva e muzikës botërore u përfol si një ndër të ftuarat në festival, por duket se nuk do të jetë kështu.

Burime zyrtare nga qeveria e Kosovës bëjnë me dije se është fondacioni ai që vendos për të ftuarit dhe deri më tani nuk është përmendur emri i Madonnës si pjesë e artistëve që do t’i bashkohen Dua Lipës në skenë.

Më tej, burimet informojnë se “Sunny Hill” merret vetë edhe me promovimin e aktivitetit, duke mos ndarë shumë detaje me organet shtetërore lidhur me këtë pjesë të eventit.

Megjithatë emri i divës së muzikës botërore nuk është përmendur kurrë, të paktën jo zyrtarisht nga “Sunny Hill” në eventin që do të organizohet në Prishtinë. Ndërkohë, palët i pret një tjetër vendimmarrje e vështirë, ku do të duhet të vendosin bashkërisht për vendin e organizimit të këtij eventi, ndaj hë për hë, negociatat për të sjellë Madonnën në Kosovë, nuk janë në tavolinë.

Pakënaqësitë nisën për vendndodhjen e festivalit “Sunny Hill”, i cili u transferua në Tiranë, për shkak të vonesave për zhvillimin e festivalit në Prishtinë. Por në fund, një marrëveshje është arritur. Në deklaratën e përbashkët e “Sunny Hill Festival”, Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Prishtinës bëhet e ditur se “Sunny Hill Festival” mbahet në shtëpinë e vet, në Prishtinë, më 4, 5, 6 dhe 7 gusht 2022.

Gjithashtu, në frymën e bashkëpunimit të shkëlqyeshëm kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë, një edicion i veçantë me një line-up tjetër do të mbahet në fund të muajit gusht në Tiranë më 26, 27 dhe 28 gusht. Ndërkohë janë konfirmuar tashmë disa nga artistët me famë botërore që do të performojnë në skenë. Skepta, Aj Tracey, Diplo, Burak Yeter, Mahmood, Dj Regard, Kamal, Romeo Blanco janë disa nga VIP-at që do të ngjiten në skenë.

Ndërkohë bie në sy emrin i Diplo në këtë listë. I nominuari në “Grammy”, Dj Diplo, ka punuar me emra të njohur nga industria e muzikës, si: Justin Bieber, Usher, Ellie Goulding, Madonna, Britney Spears, Chris Brown. Kujtojmë se vitin e kaluar Diplo është akuzuar për sulm seksual, megjithëse i njëjti e deklaronte veten të pafajshëm. Zyra e Prokurorit të Los Angelos kishte shqyrtuar akuzat e mundshme penale kundër Diplo, emri i vërtetë i të cilit është Thomas Wesley, pasi një grua e akuzoi atë për shpërndarjen e videove seksuale pa pëlqimin e saj.

Ndërkohë, Dj kishte reaguar duke thënë: “Ajo ishte një fanse e imja e fiksuar dhe pasi hoqa dorë nga çdo kontakt me të, duket se qëllimi i saj i vetëm në jetë ka qenë të prishë punën time, biznesin tim, të më ngacmojë mua dhe miqtë e mi të ngushtë dhe të më sulmojë e të kërcënojë familjen time”.