Liqeni i Zi në  ″Shënepremte Lenie″ me ujë kurativ

Me një liqen të fshehur akullnajor, qyteti i Gramshit rezervon një nga vendet më tërheqëse për natyrën dhe kurimin e shëndetit.Në lartësinë 1634 metra mbi nivelin e detit dhe rrethuar nga peizazhe malore, Liqeni i Zi është një nga vendet natyrore më të vizituara përreth qytetit të Gramshit. Përmes bukurisë natyrore, joshja e këtij liqeni i dedikohet dhe faktit që ujërat kanë veti kurative.

 Kryetari i bashkisë së Gramshit, Klodian Taçe ka ftuar eksploruesit e natyrës por jo vetëm që të vizitojnë këtë destinacion të ri turistik. “Vizitoni Liqeni i Zi apo Liqeni i Ujit të Ftohtë në Shënepremte Lenie.

Mikpritja e banorëve fisnik, bujarë, dashamirës e me tradita së bashku me ushqimet karakteristike të zonës e bëjnë këtë destinacion ndër më të preferuarit e stinës së verës, por edhe si një zonë malore ka bukurit e saj në dimër”, shprehet ai.

Liqeni i Zi apo Liqeni i Ujit të Ftohtë në Shënepremte Lenie është një liqen me ujë kurativ, ku mjekohen shume njerëz, nëpërmjet banjave me ujë të ftohtë. Liqeni është unikal në Shqipëri, ka ngjyrë blu të thellë dhe gjendet në lartësinë 1634 m, në afërsi të fshatit Lenie.

 Përfaqëson një  liqen me origjinë akullnajore. Në të ka faunë dhe përreth ka bimësi drurore të ahut, rrobullit të cilat kanë lartësi 25-30 m si dhe asaj barishtore me livadheve të shumta.

Përgjatë viteve, shumë vizitorë kanë ardhur këtu për të shëruar reumatizmën apo sëmundje të tjera që shkaktojnë dhimbje trupore, duke bërë zhytje të rregullta në liqen.Intervali i rekomanduar për të qëndruar në ujë është 15 minuta, dy herë në ditë. Muaji më i mirë është gushtit. Uji i temperaturës shkon nga 2.5 në 3 gradë Celsius.