Ka nisur pa probleme procesi i votimit për shkarkimin e Lulzim Bashës, nga anëtarësia e Partisë Demokratike.

Kutitë e votimit për Referendumin janë hapur që prej orës 08:00 të mëngjesit, ku në të gjithë vendin do të jenë 106 qendra.

Ndërkohë që një ngjarje e çuditshme ka ndodhur në Sarandë, ku kryetari i kësaj dege Vesel Koçiu, ka kyçur derën e ambienteve të selisë dhe është larguar në drejtim të Tiranës.

Në këtë mënyrë, votimi po bëhet në një ambient jashtë selisë, pavarësisht temperaturave të ulëta që janë regjistruar këtë mëngjes në vendin tonë.

Ndërkohë që në shumë prej qyteteve, votimi është duke u kryer në ambiente private, për shkak se zyrat e PD-së janë mbyllur, pasi kryetarët e tyre janë në mbështetje të Lulzim Bashës.

Njoftimi i Komisionit për rithemelimin e PD-së:

REFERENDUMIN PËR RATIFIKIMIN E VENDIMIT NR 6 TË KUVENDIT KOMBËTAR PËR SHKARKIMIN E LULZIM BASHËS

Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale njofton që materialet zgjedhore janë shpërndarë dhe administruar nga të gjithë komisionet përkatëse në të 106 Qendrat e Votimit në të gjithë vendin.

Deri në këto momente, sipas informacioneve zyrtare nga Komisionet përgjegjëse, janë hapur në orën 8.00 të 106 QV.

Ka filluar procesi i votimit qetë dhe normalisht.

Komunikimi i ardhshëm do të bëhet rreth orës 10.30 ku do të jepen të dhënat e para rreth pjesëmarrjes dhe ecurisë në procesin e votimit.