Negociatat mes demokratëve për mbledhjen e grupit me praninë e të gjithë deputetëve përfshirë Sali Berishën ende nuk kanë rezultat. Pavarësisht konfirmimit të tij si shumice, ka ende deputet të cilët nuk pranojnë Sali Berishën dhe i kërkojnë atij që të bëje një hap pas.  

Takime, rithemelim dhe bashkim, janë  kryefjala e artikulimit në ditët e fundit në Partinë Demokratike, por duket se rruga drejt kësaj nuk është e lehtë.

Prej ditës kur gjykata i dha vulën Sali Berishës, ka një përpjekje për të  zhvilluar një mbledhje me pjesëmarrjen e të gjithë deputetëve demokrat të listës së 25 prillit,  por deri më sot pa rezultat.

Spaho: Po bisedohet me deputetët e grupit që të mund të normalizojmë punën e grupit.

Ngërçi mbetet emri i  Sali Berishës, i cili edhe pse u konfirmua shumicë një pjesë e deputetëve kërkojnë që edhe ai ashtu sikurse Lulzim Basha të bëjë një hap pas duke hequr dorë nga kandidimi.

Arbi Agalliu: Përpara se të shkojmë në një mbledhje të tillë duhet të kemi një lloj përgatitje të kësaj agjende sepse dihet që mbledhja do të ketë në thelb vetëm një gjë në fund të ditës; duhet apo jo zoti Berisha të jetë pjesë e gjësë.

Edhe Belind Këlliçi, pohoi përpjekjet për një mbledhje të përbashkët të deputeteve për krizën ne Partinë Demokratike.

Belind Këlliçi: Përballë Edi Ramës, përballë kësaj qeverisje duhet të ulemi me njëri-tjetrin për të gjetur mënyrën për të ecur përpara. Unë e konsideroj të ezauruar çështjen e debatit të brendshëm për PD edhe pas një vendimit të Gjykatës dhe nuk ka më një vendim që pritet. Tani nga ngelet vetëm një qëllim dhe një objektiv, përballja me qeverinë dhe rrëzimi i kësaj qeverie një orë e më parë.

Ditët e fundit në Partinë Demokratike ka nisur edhe një debat për shkarkimin e disa pjesëtarëve të administratës, ish-nënkryetari i kësaj force politike Edmond Spaho, ka këtë argument:

Edmond Spaho: Kjo nuk do të thotë që për hir të bashkimit do duhet të tolerohet çdo gjë. Në thelb do jetë vota e lirë dhe heqja dorë njëherë e mirë nga përjashtimet në PD. Për ata të cilët janë nëpunës do duhet të respektojnë rregullat e vendit të punës.

E mërkura pritet të jetë një ditë intensive në diskutimin për të mbledhur një grupin me pjesëmarrjen e të gjithë deputetëve, dhe orët në vijim janë vendimtare në qoftë se demokratët do ta gjejnë dakordsinë mes tyre.