Gjykata Kushtetuese e Malit të premten e shpalli president Assimi Goitan, kolonelin që udhëhoqi një puç ushtarak këtë javë përderisa ishte në rolin e nënpresidentit.

Goita u bë nënpresident pasi e udhëhoqi puçin në gusht të vitit të kaluar, me ç’rast ishte rrëzuar nga pushteti Ibrahim Boubacar Keita. Ky kolonel dha urdhër për arrestimin e presidentit të ri, Bah Ndaë dhe kryeministrit Moctar Ouane.

Presidenti dhe kryeministri i arrestuar dhanë dorëheqje përderisa ende ishin në mbajtje, ndërsa më vonë u liruan, shkruan Reuters.

Gjykata tha në vendim se Goita duhet ta mbush boshllëkun e lënë nga presidenti i dorëhequr për ta udhëhequr procesin e transicionit deri në përfundimin e tij.

Ky vendim i gjykatës ishte në kundërshtim me qëndrimin e Komunitetit Ekonomik të Shteteve të Afrikës Perëndimore, i cili ka këmbëngulur që procesi i tranzicionit të udhëhiqet nga figurat civile.

15 shtetet anëtare të këtij grupi si dhe fuqitë perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Francën, kanë frikë se kriza politike në Mali mund ta thellojë mungesën e stabilitetit në pjesët veriore dhe qendrore të vendit, ku e kanë bazën shumë grupe të lidhura me ISIS-in dhe Al-Qaedan.