Policia Federale Gjermane dhe Zyra Federale Kriminale Gjermane (BKA), kanë dhuruar pajisje dhe automjete me vlerë rreth 345 000 euro për Policinë e Shtetit shqiptar.

Donacioni përfshiu automjete, jelekë mbrojtës, laptopë, programe, pajisje për leximin e dokumenteve, komplete pajisjesh mbrojtëse, radio komunikimi dhe uniforma taktike.

Ceremonia e dhurimit u organizua në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku Drejtori i Përgjithshëm Ilir Proda dhe drejtues të lartë të Policisë, mirëpritën Ambasadorin e Gjermanisë Sh. T. Z. Karlfried Bergner, i cili dorëzoi pajisjet dhe automjetet.

Gjatë ceremonisë, Drejtor Proda shprehu mirënjohje të thellë për “miqtë solidë të Policisë shqiptare, partnerët gjermanë, të cilët e demonstrojnë në mënyrë të vazhdueshme besimin e tyre te profesionalizmi dhe korrektesa e efektivëve të Policisë së Shtetit”.

Proda siguroi Ambasadorin Bergner, se Policia e Shtetit mbetet plotësisht e angazhuar për intensifikimin e bashkëpunimit me agjencitë ligjzbatuese gjermane, me qëllim përmbushjen e objektivave të përbashkët.

Ndërkaq, Ambasadori Bergner theksoi rolin e rëndësishëm të Policisë së Shtetit Shqiptar në ndërtimin e shtetit të së drejtës, i cili është qëllimi i anëtarësimit në BE.

Ai u shpreh “se urat e konsoliduara të partneritetit ndërmjet policisë shqiptare dhe policisë gjermane janë ndërtuar me kontribut reciprok dhe duke patur prioritet luftën e përbashkët kundër krimit.”

Ambasadori garantoi se bashkëpunimi me Policinë e Shtetit do të vijojë të jetë konkret dhe direkt nëpërmjet donacioneve, trajnimeve, skuadrave të përbashkëta hetimore, shkëmbimit të metodave dhe praktikave, si dhe nëpërmjet operacioneve me impakt ndërshtetëror.

Top Channel