Teksa ditë pas dite në vendin tonë bëhet thirrje për vaksinimin e të gjithë qytetarëve, duket se për disa kategori vaksina po bëhet e detyrueshme, edhe pse një gjë e tillë nuk është pranuar zyrtarisht nga ana e autoriteteve.

Gjatë ditës së sotme, në telefonat e mësuesve ka mbërritur një mesazh ku thuhet se brenda muajit shtator i gjithë stafi duhet të jetë i vaksinuar, ndërsa është kërkuar lista me emrat e arsimtarëve, që derimë tani kanë refuzuar marrjen e dozave.

“Në shtator 2021 i gjithë stafi drejtues, mësimor dhe ai ndihmës i institucioneve arsimore duhet të jetë i vaksinuar, brenda orës 12:00 të ditës së sotme na duhet lista me emrat e personave që nuk janë vaksinuar”, thuhet mes të tjerave në mesazhin që iu është dërguar mësuesve.

Lidhur me rastin nuk ka një konfirmim zyrtar nga asnjë prej ministrive, qoftë nga ajo e shëndetësisë, qoftë nga ajo e arsimit.

Nga e hëna në vendin tonë ka nisur java e vaksinimit të hapur, ku çdo person mbi 18 vjeç, mjafton të jetë i pajisur me një kartë identiteti që të mund të marrë dozën e parë anticovid.