Këshilli i Ministrave ka ulur sot mesataren për të gjithë studentët që duan të ndjekin degët e mësuesisë, nga 7.5 në 6.5 do të jetë mesatarja e pranimit për të gjithë gjimnazistët, duke filluar nga ky vit.

Ministrja Evis Kushi u kujdes të theksonte një kusht: Më të mirët do të bëhen mësues. Sipas saj, studentët me mesatare 6.5 mund të fitojnë të drejtën e studimit për gjuhë të huaja, ose për gjuhë-letërsi, por ata nuk do të vazhdojnë dot masterin për mësues.

Me vendimin e sotëm ne u japim mundësi edhe maturantëve që mbarojnë studimet me mesatare 6.5 të hyjnë në këto programe të ciklit të parë, por ata do të kenë një kod të veçantë në numrin e matrikullimit që më pas të mos vazhdojë për mësuesi por në programe të tjera të ciklit të dytë master për profesione të tjera”, u shpreh Kushi ndër të tjera.

Ky vendim mkerret edhe pas shqetësimeve të ngritura nga Universitetet në vend, se mesatarja e lartë prej 7.5 ka lënë bosh auditorët. Me vendimin e sotëm, studentët do kenë mundësi të ndjekin bachelorin për një degë të mësuesisë, por nuk do të masterizohen dot si të tillë.

Pjesë nga fjala e ministres së Arsimit, Evis Kushi:

“Me reformën e mësuesisë në vitit 2017, sot të gjithë maturantët që vazhdojnë për mësuesi duhet të kenë minimumin e mesatares 7.5. Por ndërkohë shqetësimet që kemi patur nga universitetet lidhen me faktin që këto programe jo të gjithë maturantët që regjistrohen, duan të bëhen mësues.

Jemi të gjithë dakord që mësuesit duhet të jenë më të mirët, kemi një dakordësi edhe me universitetet që kriteri për ata që duhet të bëhen mësues kriteri duhet të jetë 7.5 por në këto programe mund të hyjnë edhe ata maturantë që duan të hyjnë në një profesion tjetër.

Për ta konkretizuar me një shembull. Jo të gjithë ata që vazhdojnë për gjuhë të huaj, duan të bëhen mësues. Mund të ketë nga ata që duan të vazhdojnë për gjuhë të huaj por të bëhen përkthyes, apo të punojnë në një institucion tjetër. E njëjta gjë edhe për ata që studiojnë për Gjuhë-Letërsi. Jo të gjithë që shkojnë për Gjuhë-Letërsi duan të bëhen mësues.

Ka nga ata që janë të apasionuar pas letërsisë dhe duan të punojnë në një shtëpi botuese apo të shkruajnë. Me vendimin e sotëm ne u japim mundësi edhe maturantëve që mbarojnë studimet me mesatare 6.5 të hyjnë në këto programe të ciklit të parë, por ata do të kenë një kod të veçantë në numrin e matrikullimit që më pas të mos vazhdojë për mësuesi por në programe të tjera të ciklit të dytë master për profesione të tjera.

Është një ndryshim të cilin ne e kemi dakordësuar  edhe me vetë universitetet dhe presim që në vitin e ardhshëm akademik numri i studentëve që regjistrohen në këto programe të jetë më i lartë.”