Nga Prof.As.Dr. Rudina Mita –
Janë të mirënjohura prej kohësh roli dhe rëndësia e arsimit në formimin e një shoqërie me vlera. Arsimi, dituria, zhvillimi i shkencës e kulturës përbënin faktorin bazë e mjaft të rëndësishëm që ndikonte në formimin e një individi dhe të një shoqërie në përgjithësi. Këtij faktori, në rrjedhë të kohës, elitat intelektuale shqiptare i kanë mëshuar fort. Ishin Rilindësit shqiptarë, të cilët, me vetëdije dhe në mënyrë të organizuar shpalosën dhe trumbetuan në platformën e tyre, rolin dhe rëndësinë e arsimit e të kulturës kombëtare në zhvillimin ekonomik, politik e shoqëror të shqiptarëve. Ata u ngritën mbi gërmadhat e realitetit të dhimbshëm shqiptar duke synuar që nëpërmjet arsimit të kryenin zgjimin kombëtar, ngritjen e ndërgjegjes politike, dhe aftësim e një shoqërie për të sendërtuar një jetë shtetërore të pavarur. Mjeti më i sigurt dhe më efikas i një shoqërie për t’u zhvilluar ishte dhe është arsimi.
Edhe sot mbas 112 vitesh, Arsimi duhet të konsiderohet dhe vlerësohet si guri themeltar për ndërtimin e një të ardhmeje të denjë për Shqipërinë e shqiptarët. Po, si mund projektohet e të ndërtohet një e ardhme e tillë në kushtet kur universitetet shqiptare lëngojnë nga mungesa e studentëve në to? Politikat aktuale në drejtim të Universiteteve kanë lënë gjurmë të thellë, dhe vrasëse në këto institucione të arsimit të lartë. Për pjesën e stafit akademik të universiteteve, ajo që evidentohet dhe është e prekshme më shumë se kurrë është eksodi intelektual, largimi i studentëve dhe pedagogëve, pikërisht tani, mbas 30 viteve demokraci.
Universiteti i Elbasanit është nga më të prekurit në këtë drejtim. Nga njëri vit akademik në tjetrin gjendja në vend që të përmirësohet shkon në ekstreme të mbijetesës së fakulteteve dhe departamenteve pjesë e tyre. Viti akademik (2020-2021) nisi me mbylljen e shumë degëve dhe mjaft të tjerave, të cilat ndodhen në gjendje pragmbylljeje. Pavarësisht sugjerimeve të bëra dhe apelit sensibilizues të medias, asgjë nuk është bërë për ta frenuar e për ta kuruar me kujdes një realitet të tillë fatal. Nuk mund të suportohet fakti që Universiteti i Elbasanit po shkon drejt mbylljes. Historia ka dëshmuar se Elbasani dhe elbasanasit pavarësisht rrethanave e kanë mbajtur fort dhe me çdo kusht shkollën e vet, Shkollën Normale. Ajo shihej prej tyre si oksigjeni diturak, nga, i cili merrte jetë, jo vetëm treva e Elbasanit por edhe gjithë Shqipëria e trevat shqiptare jashtë saj. Normalja është cilësuar si Instituti i parë Pedagogjik Shqiptar, si “djepi i mësimit dhe diturisë kombëtare”. Traditë, të cilin Elbasani e vazhdoi më tej me hapjen e Institutit të Lartë Pedagogjik në vitin 1971. Krijimi, hapja dhe funksionimi i ILP u realizua mbi një traditë, terren dhe me një atmosferë arsimdashëse. Ky, institucion i lartë arsimor, që ka përgatitur breza mësuesish për shkollën 8-vjeçare dhe të mesme, e kreu veprimtarinë e tij akademike deri në vitin 1991. Këtë vit Instituti i Elbasanin mori statusin e universitetit.Që prej viti 1991 e deri sot njihet si Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”. Tradita dhe gjurma që ka lënë ky universitet në historinë e arsimit shqiptar është e dukshme dhe e padiskutueshme. Situata në të cilën ndodhet sot ky institucion i arsimit të lartë është për të ardhur keq. Kjo situatë është burim shqetësimi dhe objekt diskutimesh jo vetëm në tavolinat e punës së stafit akademik pjesë e tij, por dhe e opinionit të banorëve të Elbasanit. Tek deputetët e Qarkut Elbasan që përfaqësojnë sot këtë trevë në Parlamentin shqiptar, nuk është trajtuar dhe as nuk ngrihet për diskutim gjendja e rrënuar, në të cilën ndodhet sot ky universitet. Pa përmendur më pas ndërhyrjen apo masat që duhet të marrin për rimëkëmbjen e tij. Ato janë të përzgjedhurit e Elbasanit, për të mbrojtur interesat e tij. Nuk mund të perceptohet heshtja dhe indiferentizmi në këtë aspekt. Universiteti është i të gjithëve përtej dallimeve, të majta e të djathta. Është puna, mundi, djersa e brezave të tërë, që sakrifikuan jëtën, për formësimin e funksionimin e një institucioni me baza akademike të shëndosha e vlera përcjellëse ndër vite. Dhe Universiteti i Elbasanit u ka përcjellë dije akademike brezave ndër vite. Breza të tërë arsimtarësh që sot përbëjnë stafet arsimore të shkollave shqiptare por edhe jashtë vendit, ndiejnë keqardhje për situatën në të cilën është sot universiteti ynë.
Bashkë me gjendjen e vështirë, shqetësuese sot janë dhe politikat aktuale të ndjekura ndaj institucioneve të arsimit të lartë, të cilat e thellojnë akoma më shumë këtë gjendje. Vendosja e një mesatareje në mësuesi në kufijtë e 7.5 i dëmtoi universitetet shqiptare. Por edhe ato degë të cilat nuk kanë kritere mesatareje nuk kanë numër studentësh. Diskutimi për notën mesatare në kufirin 7.5-8 dhe rritja e saj synon me të vërtetë mbylljen e Universiteteve. Tjetër faktor është zgjatja e viteve të studimit. Që një student të dalë mësues i duhen 3 vite në nivelin e parë të studimit bachelor, 1-2 vjet studime të nivelit master profesional, stazhi, licenca, pra në total 6 vite, aq sa një mjek. Situata bëhet më alarmante po t`u referohesh politikave denigruese që përdoren sot e që kërkojnë të hedhin baltë mbi tërë stafin akademik të këtij universiteti.
Si masa paraprake e urgjente për rimëkëmbjen e shëndoshjen e gjendjes mund të përmendim: Politika e shpërndarjes së kuotave të studentëve nga ana e Ministrisë së Arsimit mes universiteteve shtetërore shqiptare duhet bërë me kujdes dhe në mënyrë të sudiuar duke marrë parasysh numrin e personelit akademik, auditoret dhe laboratoret në funksion të një procesi mësimor normal, akomodimin dhe jetën studentore etj. Është e papranueshme sot që nga 2800 kuota të lira, janë regjistruar vetëm 1032 studentë. Në realitetin e prekshëm sot kemi 13 degë të mbyllura dhe 10 degë në vështirësi. Në gjendje të vështirë nuk ndodhen sot vetëm niveli i parë i studimeve (Bachelor) por edhe niveli i dytë i studimeve, Masteri Profesional e Masteri Shkencor. Pavarësisht punës së kryer nga vetë stafi i Universitetit, kontaktet me nxënësit maturantë në kuadrin e ditëve të hapura, përsëri situata nuk është përmirësuar.
– Stafet akademike në punën e tyre kërkimore shkencore kanë vështirësi të mëdha – 0 (zero) vlerë financiare për kërkimin shkencor. Asnjë vlerë financiare në angazhime të nivelit akademik të stafeve në konferenca, kongrese apo botime shkencore.
– Edhe vështirësitë që po hasin sot në kushtet e mbijetesës e të pandemisë janë të mëdha. Vështirësi paraqet dhe zhvillimi i mësimit në platform on line. Sot në kontaktet me studentët, ata ankohen që kanë ditë të tëra pa drita dhe nuk kanë mundësi komunikimi. Pa përmëndur anën financiare, dhe mjetet për një komunikim të tillë. Vështirësi paraqiten edhe tek studentët e viteve të para, të cilët nuk i kanë prekur fizikisht për herë të parë universitetet.
– Sot stafet e njësive bazë në Fakultete po përpiqen me tërë potencialet e tyre të shmangin mbylljen e degëve dhe të ndërmarrin hapa për hapjen e degëve të integruara në nivelin e studimeve profesionale 2 vjeçare, apo dhe në nivelin e studimeve bachelor. Por sa dhe si do mund t`ia dalin, kjo mbetet për tu parë.
– Pavarësisht këtyre përpjekjeve, rolin kryesor duhet ta luajnë politikat qeveritare në mbështetje, bashkëpunim e bashkëkoordimin mes palëve. Gjë, e cila deri në këto momente mbetet pa dritë shprese. Cilët duhet të mbajnë përgjegjësi për një situatë të tillë? A është menduar se ku do shkojnë stafet akademike në rast të mbylljes së Universiteteve?
Koha nuk pret, hemoragjia intelektuale nuk po ndalet, universitetet po lëngojnë në agoninë e tyre…, shoqëria shqiptare po vuan largimet masive, të të rinjve, të cilët realiteti i dhimbshëm i ka nxirur të marrin rrugën e emigrimit. Vallë, a e meritojnë të rinjtë shqiptarë një gjendje të tillë? Jo dhe jo! Kërkohet dhe pritet ndryshimi i madh i Pranverës Shoqërore Shqiptare.