
Lamtumirë, Vjollca Burgjia
Me hidhërim morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Vjollca Burgjias, një nga figurat më të dashura të skenës artistike elbasanase. Pas mbarimit të liceut, ajo nisi rrugëtimin e saj në Estradë dhe më pas në Teatrin “Skampa”, ku spikati menjëherë me talentin dhe përkushtimin e saj.
Që prej vitit 1966, në komedinë e Thanas Borodanit “Udha e Zavalinajve”, e më pas në dhjetëra role të paharrueshme si: “Hijet ikin nga malet”, “Katër nga armata”, “Skënderbeu”, “Gardhi”, “Projekti”, “Firmat e vogla”, “Qelia nr.7”, “Shqetësimet e Sokratit”, “Drita”, “Sinjalet e natës”, “Gadrat”, “Fundi i një intrige”, “Familja e peshkatarit”, “Orteku”, “Cuca e maleve”, “Për jetën”, “Prefekti”, “Familja e madhe”, “Vëllezërit”, “Ferma në gur”, “Tani partizani” e shumë të tjera.
Rreth viteve 1975–76, u largua nga skena për të vijuar kontributin e saj në Qendrën e Kulturës në Bradashesh, ku qëndroi deri në daljen në pension. Vjollca Burgjia ishte një aktore me një shpirt të ndjeshëm, me interpretim autentik dhe pasion të thellë për artin. Ajo ka lënë gjurmë të pashlyeshme në teatrin shqiptar dhe në zemrat e publikut të Elbasanit.
Vjollca do të mbetet gjithmonë një figurë e respektuar e komunitetit artistik. I qoftë dheu i lehtë! U prehtë në paqe shpirti i saj! 🕊️


