Ajo erdhi për të qenë shëmbëllimi i njimendtë i dashurisë së Zotit për njeriun. Dëshmoi me jetën dhe veprën e saj mirëbërëse se gjithçka është e mundur në besim. Udhëhoqi vullnetet e dlira dhe forcën e arsyes për të ndërtuar altarin e së mundshmes qiellore dhe bërjen e vullnetit të Hyut si në qiell ashtu edhe në tokë. Udha e saj e gjatë dhe e mundimshme është shembulli më domethënës i forcës që gjallon prej mirësisë dhe dhemshurisë, mëshirës dhe besimit.

Më 26 gusht 1910 u lind në Shkup të Shqipërisë, asokohe nën pushtimin otoman, Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e njohur si Nënë Tereza, humanistja shpresëdhënëse ndaj të varfërve, të sëmurëve, të pamundurve, shembulli më i hyjshëm i trajtueses së dhimbjes me dashuri.

Një ditë pas lindjes u pagëzua në kishën e Zemrës së Krishtit nga famulltari i asokohshëm Dom Zef Ramaj, ditë të cilën ajo e llogariste si datëlindjen e saj. Gonxhja ishte fëmija i tretë i Kolë Bojaxhiut me origjinë nga Mirdita dhe e Drane Bojaxhiut (mbiemri i vajzërisë Barnaj) nga Novo Sella e Gjakovës.

Nënë Tereza u vendos në Kalkuta ku fillimisht u bë mësuese dhe shumë shpejt drejtore e shkollës së vajzave. “Nënë Tereza e Kalkutës” u quajt kur themeloi urdhërin “Misionaret e Dashurisë” më 1951 për t’u shërbyer më të varfërve dhe më të pashpresëve të Kalkutës, Indisë dhe gjithë botës. Në vitin 1979, kur mori çmimin Nobel për Paqe, e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare. Haste vështirësi për të folur rrjedhshëm shqip pas një largimi prej 70 vjetësh dhe qëndrimi në ambiente joshqiptare, por ajo kurre nuk e ka mohuar origjinën e saj. Shkrimet e saj në shqip janë letrat e rinisë dhe më pas me familjen, përshëndetje gjithashtu në shqip për popullin shqiptar pas fitimit të çmimit Nobel me 1979 dhe lutja në shqip transmetuar nga Zëri i Amerikës më 17 Qershor 1978. Në çastin e marrjes së Çmimit Nobel, një nga klerikët që merrte pjesë në sallë e pyeti Nënë Terezen se nga ishte. Ajo deklaroi: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”.

Një mirënjohje që rrëmbeu interesimin e mbarë botës, një admirim që e mbuloi me lavdi veprën ngadhënjyese e kësaj shëlbyeseje të përkushtuar, kësaj misionareje të patëdytë të mirëbërjes dhe mëshirës.

Si Nënë Tereza askush nuk i dha atë aq forcë mrekullibërëse mirësisë.

Pakkush, si ajo, mundi që me faljen dhe dashurinë, tolerancën dhe mëshirën, ti jepnin jetë dhe energji përtëritëse besimit, ta popullonin botën me drejtësi dhe humanizëm. Ajo ishte e rallë, si e tillë mbeti e pazevëndësueshme, megjithëse misioni që mban emrin Nënë Tereza përpiqet çdo ditë, në çdo cep të botës të kthejnë dritën ku kaplon errësira, mëshirën ku pushtetin ka barbaria, humanizmin dhe dorën e ndihmës, kur njerëzit përpëliten në dallgët e përbindshme të të sotmes.

Nënë Tereza ndërroi jetë më 5 shtator 1997 në Kalkuta, me 19 Tetor të vitit 2003 u shpall e lumturuar nga Vatikani.

Ajo ishte dashuri në vepër për Zotin nëpërmjet njeriut. Nënë Tereza është për ne shqiptarët një dhunti e madhe prej Zotit, shpresë për një të ardhme më të harmonishme, një lule shprese që ka çelur dhe është rritur në gjakun e shumë martirëve. Duke takuar dhe vizituar të varfërit E Lumja Nënë Tereza, u takua me shumë probleme që i prokupojnë çdo ditë njerëzit buzë vdekjes. Pleq të sëmurë dhe të braktisur, të rinj skeletorë dhe të sëmurë pa përkrahje, qindra njerëz buzë trotuareve, që shtrijnë dorën për bukë dhe dhjetra të tjerë në agoni të vdekjes. Shumë të varfërve të tjerë në rrugë që kishin sëmundjen e gërbulës, të cilëve nga frika e infektimit nuk afrohet askush për ndihmë humane.

Klithma, thirrje për ndihmë, mizerja e ulur në shtetin më të madh qindramilionësh shihej në çdo rrugë, lagje, shtet të Indisë. Ky zë mjerimi drejtohej nga Zoti për ndihmë. Tek zemra e Nënë Terezës, lindi një hap tjetër dashurie për të ndihmuar dramën e përditshme të këtij populli të pafajshëm.

Dhe Ai në momentet më të dëshpëruar i dërgon Engjëllin e Saj Mbrojtës Nënë Terezën të vogël fizikisht, por me zemër të madhe dhembshurie e mbushur me bujari fiskike shqiptare. Përballë dhimbjeve e mjerimit të tejskajshëm, që shihte dhe prekte ngado që shkonte Nënë Tereza me motrat, Ajo gjeti thirrjen e Zotit për t’u bërë një Nënë e madhe e dashur tyre. Dhe për këtë hapi Shtëpinë e Parë përkushtuar “Zemrës së Zojës” (indisht ‘Nirmal Hriday’)në në vitin 1954 numërin 14 në Greek Lane. Më 1955 u hapën Shtëpitë për Fëmijë (Shishu Bhavans), ku përfshihen fëmijët e porsalindur dhe të braksitur dhe deri të varfërit. Filloi kështu fushata për grumbullimin e fëmijëve nëpër rrugët e errta të qytetit, nëpër lagje të varfëra. Vetëm në Indi deri në vitin 1980 hapën dyert 40 shtëpi të tilla.

12 vjet më vonë, në vitin 1963, krijohet Dega e Vëllëzërve të Misionarëve të Dashurisë, themeluar nga vetë E Lumja Nënë Tereza.

Biografët tregojnë shumë episode të jetuara kur Nënë Tereza i ndihmonte njerëzit buzë vdekjes në Kalighat. Ajo u takua me një grua të moshuar, plot plagë të infektuara, e cila në pamundësi rrinte e shtrirë për dhe, ku mijtë e hanin për së gjalli. E skena të tilla haste ajo çdo ditë e natë në rrugët e mbushur plot drama mjerimi.

Duke e parë mjerimin e pakufi mes njerëzve Ajo mendoi që t’i kërkonte autoriteteve të qytetit disa shtëpi të gjendeshin të bashkëngjitur me Tempullin e Hyjneshës Kali, Mbrojtëses së Kalkutës, që ishin ndërtuar si bujtina për shtegtarët. Autoritetet civile, duke e parë nevojën e madhe dhe mjerimin e njerëzve të tillë, ia lejuan t’i përdorte ato përkohsisht si qendra për t’i ardhur në ndihmë njerëzve të varfër.

Por disa hindu u zemëruan dhe protestuan, sepse ish qendrat e tyre po ktheheshin në qendra katolike. Puna arriti deri aty sa indut përdoren edhe infuluencen e tyre ne sferat e larta të politikës në Indi. Njeri nga politikanët u shpreh me arrogancë se do t’a përzinte Nënë Terezën nga ai vend dhe India, ndonëse ajo ishte shtetase indiane.

Një ditë ai shkoi për ta takuar direkt Nënë Terezën dhe për t’i shpreh vendimin e tij. Ai pa më sytë e vet me radhë të gjithë dhomat e mbushura plot me njërëz, ku mjerimi i popullit të tij ishte shtrirë dhe kërkonte shpresë për shpëtim. Në Indi derinë vitin 1980, kishte 4 milion të sëmurë nga gërbula, ku në të gjithë botën ishin 20 milion vetë. U prek shumë dhe midis njerëzve që e shikonin në heshtje, politikani i madh indian, i shtriu dorën e mirënjohjes Nënë Terezës, e bekoi me fjalët e ngrohta për atë dashuri e dhembshuri të pakufi, që Ajo sëbashku me Motrat e Dashurisë po tregonin përditë për popullin e tij.

Më 1975, qeveria lokale u dhuroi edhe një banesë tjetër “Motrave të Dashurisë”. Gradualisht themeluesja e Urdhërit, ndërtoi strukturën e punës, duke hapur edhe shtëpi të tjera në Indi. Shtëpia e parë jashtë Kalkutës u hap më 26 maj të vitit 1959. Njerëzit bujarë nga e gjithë bota i dhuruan murgeshave bamirëse automjete, ambulanca, dhe iu afruan për ndihmë shumë mjekë që punonin falas, mijëra bashkëpunëtorë nga e gjithë bota, të cilët e përkrahën dhe ndihmuan në veprën e madhe dhe të shumëllojshme të Nënë Terezës.

Një punë shumë të madhe ajo bëri në luftë kundër abordit, që ishte një vrasje makabër në kraharorin e nënës

Në këtë mënyrë gradualisht filloi të shkruhet historia e motrave bamirëse, të cilat pa u ankuar asnjëherë për lodhje dhe stërmundime të përditshme, punojnë në emër të dashurisë ndaj Zotit. Në Amerikën Latine dhe posaçërisht në Venezuelë (afër Carasit) në Cocorota u hap shtëpia e parë e vogël për veprën bamirëse të motrave të Urdhërit që themeloi Nënë Tereza, që kishte shkuar atje nga Kalkuta e Indisë. Vitet e mëvonshme zgjerohet shpërndarja gjeografike e qendra dhe shtëpive të bamirësisë, si në Lima (Peru), Kolombi, Bolivi, Brazil etj.

Më 1968 u hap shtëpia e parë në Romë të Italisë, me kërkesën e vetë Papa Pali VI. Qendra të tjera u hapën në Ostia (afër Romës), Palermo (1974), Ragusa (Siçili), Reggio Calabria.

Për t’i ardhur në ndihmë popullsisë së lashtë autoktone aborigjene në Australi, më 1969 u hap qednra e “Misionarëve të Dashurisë”. Në Pakistan dhe Bangladesh u hapën disa shtëpi-qendra në vitin 1972. Në Jordani (Amman) në vitin 1970 motrat e Nënë Terezës, filluan të punojnë mes të vafërve të vendit. Shtëpi të tjera u hapën në vitin 1973 në Gaza (Palestinë), Jemen, Angli ( 1970, 1971, Londër), Irlandë (Dublin), Irlanda e Veriut (Belfast), Tanzani (1968, Tabore), Mauritia (1972) (afër Madagaskarit), Adis Abbebë (1973, Etiopi), Ceilon (Colombo, Sri Lanka), ShBA (Harlem, Bronx, Neë York), Zagreb (1979, Kroaci), Kosovë, Shqipëri (1991, Shkodër (3 shtëpi dhe një shtëpi e Urdhërit të Vëllezërve të Nënë Terezës, në Kukël afër Bushatit), Tiranë, Dukagjin (Mëlësia e Madhe) etj.