10 është numri i viktimave nga tragjedia që ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Tetovë, në një spital modular për Covid-19. Këto objekte ndërtohen për 7-9 muaj, janë provizore, dhe përshtaten si spitale gjatë pandemisë.

Mediat vendase shkruajnë se nga zjarri i madh që shpërtheu në spital, kanë mbetur të plagosur dhjetëra pacientë, të cilët janë nisur me urgjencë drejt spitalit të Shkupit. Objekti në fjalë ishte ndërtuar në muajt e parë të vitit 2021.

Në Maqedoninë e Veriut thonë se në muajin prill në këtë spital janë konstatuar probleme gjatë ndërtimit.

“Vërejtjet kanë të bëjnë me dyshemenë dhe disa gabime tjera të vogla infrastrukturore. Është dhënë afat prej 5 ditëve që të sanohen gabimet të ndodhura gjatë ndërtimit të spitalit modular. Rrymë dhe ujë ka. Për sistemin e oksigjenit jemi në kontakt me firmën nga ku na thanë se për 2-3 ditë mund të vendoset. Sistemi ka ardhur deri tek infektivja dhe mund të lidhet. Në rast se nuk dalin probleme të tjera, javën tjetër shpresojmë se do të vihet në përdorim”, deklaroi asokohe drejtori Ekonomik i Klinikës së Tetovës, Artan Etemi.

241655335 1579649819037900 2650077442628979913 n

Ndërkohë, Prokuroria Themelore ka bërë me dije se ka angazhuar 5 prokurorë të cilët po punojnë së bashku për të zbardhur shkaqet dhe vetë ngjarjen e rëndë që u mori jetën 10 pacientëve që trajtoheshin për covid-19 dhe ka lënë të plagosur dhjetëra të tjerë.

“Prokuroria Publike Themelore Tetovë po kryen ekspertizë në vendin e ngjarjes në spitalin modular Covid-19 në Tetovë, ku sonte shpërtheu zjarr në të cilin ka viktima dhe numri po konfirmohet. Në ekspertizë janë përfshirë tre prokurorë nga Prokuroria Themelore Publike Tetovë, të cilëve u janë bashkuar dy prokurorë publikë nga Prokuroria Publike e Shkupit. Ekipi prej pesë prokurorëve, bashkë me ekipet të institucioneve përkatëse, i ndërmarrin të gjitha aktivitetet në drejtim të vërtetimit të shkaqeve për zjarrin e shkaktuar”, thanë nga Prokuroria Publike.

241625581 1579622135707335 5029110218448884675 n