Mesfushori me tipare sulmuese i kombëtares algjeriane U-23, Bilel Benhamuda ka ndërruar jetë në moshën 24-vjeçare, pas një aksidenti automobilistik.

Lojtari i USM Alger, i cili ishte një nga figurat kryesore në kampionatin algjerian, po kthehej në shtëpi pasi luajti në Turneun e “Katër Kombeve” kundër Kongos duke shënuar një nga tre golat e fitores.

Benhamuda po udhëtonte në autostradë, i shoqëruar nga një mik, kur humbi kontrollin e makinës dhe u përplas me një shtyllë.

Automjeti ka marrë flakë dhe të dy kanë humbur jetën.

Një lajm i trishtë ky për futbollin algjerian, ku Liga e futbollit ka vendosur që të shtyjë ndeshjen e radhës mes ES Setif dhe USM Alger, të planifikuar për sonte në mbrëmje për ndeshjen e javës së 34-të të kampionatit vendas.