Interi vazhdon formën e mirë në kampionat duke fituar edhe mbrëmjen e sotme përballë Leçes në “Meazza”. Zikaltrit triumfuan pastër me rezultatin 2-0, me nga një gol në çdo pjesë. Me mungesën e Lautaros në fushë, ai që zhbllokoi sfidën ishte një mbrojtës. Bisseck në minutën e 43′ i dha avantazhin vendasve pas një topi të Calhanoglu.

Në fraksionin e dytë të lojës, pati minuta edhe për mesfushorin shqiptar Kristjan Asllanin, që mori vendin e Calhanoglu në minutën e 75′. Dhe vetëm 3 minuta më vonë erdhi dhe dyfishimi i rezultatit me Nicolo Barrelan që vulosi 3-pikëshin për skuadrën e Inzaghit. Pak para fundit miqtë u ndëshkuan me karton të kuq, me lojtarin Banda që la ekipin me 10 vetë.

Kjo fitore e mban Interin në krye me 44 pikë, 4 më shumë se Juventusi i vendit të dytë, që triumfoi sot ndaj Frosinones.

Serie A nuk do të ndalet as këtë fundvit dhe Interi do të rikthehet të luajë më datë 29 në transfertën e Genoas.