Gjykata e Vlorës ka dhënë masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për Vasil Bollanon, ish-kryebashkiakun e Himarës që tre ditë më parë përplasi për vdekje një djalë 17 vjeç, në rrugën Orikum-Llogara. Ai është marrë me pranga nga spitali, ku qëndronte pas problemeve shëndetësore.
Efektivë të Policisë së Vlorës e kanë shoqëruar ish-kreun e OMONIAS nga ambientet e spitalit deri në ato të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë.
Togat e zeza kanë dhënë për Vasil Bollanon masën paraprake të sigurisë, duke e lënë në “Arrest shtëpie”. 66-vjeçari ishte duke lëvizur me mjetin e tij tip Mercedes Benz ka përplasur 17 vjeçn Eljo Hamiti. Ky i fundit mori plagë të shumta dhe u dërgua me urgjencë në Spitalin e Vlorës.
Për shkak të gjendjes së rëndë dhe rënies në koma, Eljo Hamiti u dërgua në Spitalin e Traumës në Tiranë. Fatkeqësisht, disa orë më vonë, 17 vjeçari ndërroi jetë.