Alarm në polici, një shtetas vendos një send të dyshuar poshtë një mjeti në Pogradec. Ngjarja ka ndodhur në lagjen 2, pranë prokurorisë së qytetit. Burime bëjnë me dije se ka qenë roja i prokurorisë që ka lajmëruar policinë. Rreth orës 3:30 të mëngjesit ai ka vënë re një shtetas duke u shtrirë përtokë e duke vendosur diçka poshtë makinës. Fillimisht është dyshuar për eksploziv, është sjellë nga Tirana grupi i shpërthimeve të kontrolluara, ndërsa pas kontrollit të xhenierëve ka rezultuar se nuk është tritol, por një aparat GPS.
Mjeti është në pronësi të shtetasit Eris Çekani, i cili kohët e fundit ka patur disa konflikte me shtetas të tjerë në Pogradec, ku më i fundit ishte aksidenti kokë më kokë në Elbasan.
Nga ana e policisë, janë sekuestruar të gjitha kamerat në zonë, për të bërë të mundur identifikimin e personit që ka vendosur Gps, e për të zbardhur më tej rrethanat.
Njoftimi i Policisë:
Pogradec/Informacion paraprak
Mëngjesin e sotëm, në lagjen nr. 3, Pogradec, nën dy automjetet në pronësi të shtetasit E. Ç., 39 vjeç, banues në Pogradec (të cilat i lëshon me qira) janë konstatuar dy sende të dyshimta. Në vendngjarje shkuan shërbimet e Policisë dhe nga verifikimet e kryera, rezultoi se nuk ishin lëndë plasëse, por ishin dy GPS.
Grupi hetimor vijon veprimet për sqarimin e rrethanave të rasit.