26-vjeçari Kei Piu është arrestuar ditën e sotme nga policia e Elbasanit, pasi mbeti i plagosur mbrëmjen e djeshme gjatë një sherri në një loakl . I riu është vënë në pranga, pasi gjatë marrjes në pyetje nuk ka treguar të vërtetën dhe mbi të rëndon akuza për pengim të zbulimit të së vërtetës.

Ai  gjatë dëshmisë së tij nuk ka treguar gjë për konfliktin, por ka thënë se është dëmtuar në palestër.

Kei Piu është një emër i njohur për Policinë e Shtetit pasi në vitin 2020 i ka shpëtuar një atentati me armë zjarri. Ai u qëllua me breshëri plumbash nga një fuoristradë në ecje, teksa udhëtonte me mjetin e tij tip ‘Range Rover’. I riu, 23 vjeç në at kohë mbeti i plagosur vetëm në këmbë dhe u mbiejtoi plagëve. Në polici ai deklaroi se nuk e njihte autorin, por me zbardhjen e kamerave të sigurisë u zbulua se ai kishte debatuar me autorin pak orë para se t’i bëhej atentati. Kei Piu ka qenë shoqëruar disa herë në polici edhe për lëndë narkotike.

Njoftimi i Policisë: 

U paraqit për të marrë mjekim në spital, i dyshuar i dëmtuar me material xhami, arrestohet në flagrancë 26-vjeçari, pasi inskenoi ngjarjen dhe dha deklaratë të rremë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasin K. P., 26 vjeç, banues në Elbasan, pasi pasditen e djeshme është paraqitur për të marrë mjekim në spitalin e Elbasanit, dyshohet i dëmtuar nga një material xhami, dhe gjatë marrjes në pyetje, dyshohet se për të penguar zbulimin e së vërtetës, ka inskenuar ngjarjen dhe ka dhënë deklaratë të rremë, duke pretenduar se ishte dëmtuar në një ambient privat (palestër).

Në drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.