Nga Erion Murataj
Ka ditë që mendoj se si ta nis këtë shkrim.Ka ditë që nuk di se si të përmbaj gojën që bashkarisht shërbëtorët e status quos 32- vjeçare ma quajnë arrogante dhe të vrazhdë.Në fakt jam krenar për gjuhën time të vërtetë.Të tillë janë siç e kam thënë e më parë bashkë gatues të çorbës së fëlliqur.
Bashkë të pander e pamoral politik, bashkë të paburra që “vlla me vlla” kanë çarë e vrarë për ngjyrat e flamurit të partisë. Bashkë të paftyrë që për ta ruajtur status quon bëhen bashkë dhe për kryepleq që gjoja thonë se nuk i intereson.
Kuptoj luftën e spektërmbajtësve për të pasur këdo e gjithçka nën vete por asesi nuk kuptoj pafytyresinë, paburrërinë dhe pabesine e atyre që shesin menderen për ndonjë kockë.
Kuptoj dëshirën mbytëse për heshtje të pushtetit dhe atyre që kremtojnë fitore pas fitore dhe i krijon shqetësim çdo notë ndryshe nga funebri politik që luajnë të qetë që prej kapitullimit të impotentëve të opozitës por nuk kuptoj lumturinë e heshtur të të vdekurve ende të pakallur që në kazanin kundërbues të halleve të qytetarëve merren me statuja e shesin kryepleq.
Nuk kuptoj dot pisllekun mbytës të buzëqeshjes pa u përballur duke u bërë bashkëvrastar të demokracisë dhe lirisë për të zgjedhur.
Çuditërisht sinkronizohen në mënyrë perfekte me shpresën se kënga e qyqes do të luhet e qetë për gjatë.Kuptoj spektërmbajtesit që kërkojnë të shesin për politikë seksin e engjëjve me opozitën duke e trajtuar si gjunjëgjakosur që i hidhet ndonjë kothere duke kandiduar kështu për një vend në parajsën e përceptimit publik por nuk kuptoj shitjen që martirët e opozitës që do fitonte dje Elbasanin i bëjnë atyre që i çuan mish për top në fushatën e turpit e sot u thotë nuk kemi kandidat për të drejtuar hallet e fshatit tuaj!
Shterpësi që meriton përjetësinë në portën e purgatorit.Komikja është se bashkarisht nguten që çdo filizë politike ta shigjetojnë e domonizojnë si djall që prish harmoninë.
Harmoninë false e të ndyrë ku janë mësuar të hanë njëlloj si në qelitë e nëntokës ku aty hahet e jashtqitet pa dalluar aromat.
Në çdo rast një mesazh e kam: “Djall apo ëngjëll rëndësi ka të mos jesh një legen pa identitet purgatori”.