Parashikimet e disa shkencëtarëve për të ardhmen e planetit tonë, i cili pas disa qindra vitesh do të bëhet “ferr” për banorët e tij, janë të paktën ogurzi.
Në fakt, Toka së shpejti mund t’i ngjajë Venusit të pabanuar dhe jomikpritës , për shkak të “efektit serë”.
Efekti serë mund ta kthejë një planet të butë, të banueshëm me oqeane uji në një planet të dominuar nga avulli i nxehtë, armiqësor ndaj gjithë jetës”, argumentojnë astronomët e Universitetit të Gjenevës (UNIGE), së bashku me laboratorët francezë CNRS në Paris dhe Bordeaux.
Në punimin e tyre shkencor ata paralajmërojnë për “avullim të të gjithë sipërfaqes së oqeanit” të Tokës dhe një “rritje dramatike të temperaturave të sipërfaqes globale”.
Toka më pas do të bëhej një planet si Venusi – “binjaku i keq” i Tokës dhe planeti më i nxehtë në sistemin tonë diellor, me një sipërfaqe mjaft të nxehtë (465°C) për të shkrirë plumbin dhe një atmosferë të trashë që përmban re toksike të acidit sulfurik.
“Të kuptuarit e efektit serë është jetike për të parandaluar transformimin e Tokës në Venus,” theksojnë shkencëtarët .
Efekti serë është procesi me të cilin atmosfera e një planeti kap nxehtësinë dhe kontribuon në rritjen e temperaturës së sipërfaqes së tij.
Vitet e fundit, termi është shoqëruar me një rritje të temperaturës mesatare të sipërfaqes së Tokës (ngrohja globale), ndërsa konsiderohet se fenomeni është rritur ndjeshëm nga aktivitetet antropogjene.