Fshati Funar në Qarkun e Elbasanit vetëm 17 kilometra nga qendra e Elbasanit kohët e fundit është duke u përballur me largimin masiv të popullësisë jashtë vendit, duke shkaktuar kështu mungesën e fuqisë punëtore. Banorët shprehen se mosha e vetme që ka mbetur në këtë zonë është mosha e tretë, por dhe këta të fundit kanë filluar të emigrojnë.
Shkaku kryesor i emigrimit të popullësisë sipas tyre është varfëria e mungesa e të ardhurave, por dhe infrastruktura e keqe ka shkaktuar mjaftë probleme për banorët. Shumica e tyre shprehen se për të mbijetuar merren vetëm me bujqësi, por asnjëherë nuk arrijnë të nxjerrin shpenzimet e tyre, si pleherat kimike apo vaditjen e tokave, ndaj shumica kanë zgjedhur të largohen jashtë.
Tashmë sipas banorëve ka mbetur më pak se gjysma e popullësisë, por nëse problemet e tyre vijojnë të bien në vesh të shurdhër, fshati do të përballet me braktisjen totale.