Pas skandalit brenda institucioneve të drejtësisë të publikuar nga emisioni investigativ Fiks Fare, ku një oficere e policisë gjyqësore pranë Prokurorisë së Elbasanit ka marrë një ryshfet prej 1 mijë eurosh, ka reaguar SPAK.
SPAK ka regjistruar procedimin penal ku ndaj oficeres Anila Dushku, rëndon vepra penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.
Gjykata ka vendosur pranimin e kërkesës së SPAK për, caktimin e masës të sigurimit personal “arrest në shtëpi”.
Fiks Fare denoncoi ngjarjen që u zhvillua në zyrën e oficeres Anila Dushku, e cila pasi i merr ryshfetin i premton të moshuarës se do “të mbaronte punë”. Disa ditë pas kryerjes së pagesës, në adresën e denoncueses shkon një zarf i prokurorisë ku e njofton se ky organ i ka kërkuar gjykatës të pushojë hetimet, për shkak se vepra penale ndërtim pa leje është amnistuar nga Kuvendi i Shqipërisë.
Në redaksinë e emisionit Fiks Fare u ankua 68-vjeçarja Hava Lloga, e cila para disa vitesh u procedua dhe u dënua për ndërtim pa leje, për shkak se ndërtoi një banesë për vete dhe djalin në fshatin Qendër Librazhd. Më pas filloi ndërtimin e një banesë për djalin tjetër dhe sërish u procedua. “Problemi im është me këto shtëpitë se mua më kanë dënuar 2 muaj arrest shtëpie. Ka nja 3 vjet kur unë ndërtova shtëpinë si gjithë të tjerët pa leje dhe më pas e legalizova. Më pas fillova të ndërtoj banesën e djalit tjetër. Punimet i ndoqa unë bashkë me ustallarët, pasi djali është në Greqi” thotë e moshuara.
Më tej sqaron se punimet kanë filluar 3 vite më parë. “Erdhi policia dhe mbushi letrat. Më thirri një oficere që quhet Anila, është oficere në Prokurorinë e Elbasanit. Ajo e ndoqi të gjithë procedurën. Tani më thotë dua 1 milionë lekë që të mbyll çështjen e djalit. Më tha e do djalin, e dua i thashë. Po e deshe më tha, që ta mbyll çështjen, më jep 1 mijë euro. E kam takuar dje te zyra në Prokurorinë e Elbasanit. Tani unë nuk e di se për ça e mbyll, letrat e tokës i kam unë dhe çuni s’ka asnjë letër, s’ka asnjë pëllëmbë tokë”, pohon 68 vjeçarja.
Ajo thotë se në Policinë e Librazhdit ka dëshmuar se po e ndërtonte për djalin. “Unë për ato po i ndërtoj, se s’kam për t’i marrë me vete se unë jam e vjetër. Çuni i vogël në Vlorë me fëmijët dhe ky tjetri në Greqi dhe punimet i kam ndjekur unë. Mua më thoshte kryetari ndërtojë dhe më mbrapa më sillte policinë. Këta të policisë i çuan letrat në prokurori dhe unë e takova këtë Anilën në katin e parë, brenda prokurorisë. I thashë ma thuaj copë ça halli ka. Më tha më jep 1 mijë euro ta mbyll çështjen”, pohon Havaja.
Fiksi e pyeti se nëse nuk i jep këtë shumë, çfarë ndodh me çështjen. “Më dha një afat. Deri në këtë datë pret. Unë ku t’i gjej, unë 200 mijë lekë marr. E sëmurë jam. S’më dalin të ha. Më tha m’i prure ta mbyllim çështjen, s’m’i prure … Nuk e di se çfarë i ndodh djalit, se ai ka ikur maleve me fëmijët për në Greqi”, thotë e moshuara. Më pas tregon se, para se të ndërtonte shtëpitë, ka jetuar në një kasolle. “Jetoja në kasolle, me gjarpërinjtë. Këtë kasollen e kam ndërtuar në vitet 1997-1998 kur kemi ardhur te ky vend. Jetë e zezë. Këtu kam jetuar para se të bëja shtëpinë. Mirë që s’na ndihmojnë, por s’na lënë të qetë”, vijon ajo, ndërsa pohon se s’ka mundësi që të bëjë këtë pagesë. “Unë s’kam të ha bukë, 200 mijë lekë marr. Ça të bëj, të paguaj drita, të paguaj ujë, të marr ilaçe apo të ha! Llogarit muajin”, përfundon ajo.
Pas ankesës, e moshuara telefonon oficeren Anila Dushku për ta takuar. OPGJ-ja i thotë se hajde të hënën dhe takohemi. E moshuara shkon në afërsi të Prokurorisë së Elbasanit dhe pasi takon OPGj, shkojnë në një byrektore. Në këtë vend, oficerja i thotë se “me 1 mijë euro mbyllet çështja”. Dhe “kur të vish e ti sjellësh, mbyll gojën”. “(1 mijë euro) dhe asnjë gjë tjetër. S’ke punë me asnjë. Dakord? Mos fol me njeri. Ti, ti kishe sjell sot dhe nuk kishe për të ardhur më. Mos u bëni pishman pra. Se unë i prish punë djalit. Është ndërtuar gjithë ajo shtëpi dhe me 1 milion lekë nuk është asnjë gjë. Kështu që sa të mbaroj ajo puna, ato do ti mbaj te xhepi im. Tani do vish dhe do më bësh telefon para se të vish”, i thotë oficerja të moshuarës.
E moshuara shkon në Elbasan ditën që oficerja e prokurorisë i la takim. Para takimit, ajo fut në një qesë shumën prej 1 mijë eurosh dhe 10 mijë lekë të vjetra. Oficerja e merr brenda Prokurorisë së Elbasanit. Zyra e saj është në katin e parë të godinës. E fut brenda zyrës dhe direk i kërkon shumën. E moshuara nxjerr qesen dhe i kërkon OPGj-së që t’i numërojë. “I ke numëruar ti nëna”, i përgjigjet, teksa e fut qesen në sirtarin e saj. E moshuara i thotë se ka edhe një 10 mijë lekësh për rrugë. Ajo nxjerr 10 mijë lekëshin dhe i thotë fute në xhep. Më pas i thotë se tani vendimi do të vijë me postë.
Disa ditë pas pagesës, në banesën e të moshuarës në Librazhd, shkon një zarf nga Prokuroria e Elbasanit. Është një vendim pushimi për procedimin penal për ndërtim pa leje. Vendimi është marrë në datën 15 korrik 2024, nga prokurori Xhelian Seferi. Prokurori shkruan se procedimi penal është me numër 359, i datës 30 mars 2023, ditë në të cilën Policia e Librazhdit ka shkuar në banesën e të moshuarës Hava Lloga dhe e kanë proceduar për ndërtim pa leje.
Në vendim, prokurori shkruan se ndërtimet janë pa leje, por ato ndërtime janë bërë para datës 31 mars 2024 dhe vepra penale “ndërtim i paligjshëm” është amnistuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Pra, qytetarja i ka paguar OPGj-së shumën prej 1 mijë eurosh, megjithëse vepra penale është amnistuar dhe prokuroria duhet të kishte marrë vendim shumë kohë më përpara!
“Prokuroria e Posaçme falenderon programin Fiks Fare në TV Top Channel për sensibilizimin e opinionit publik ndaj këtij akti korruptiv dhe fton qytetarët dhe median për të denoncuar pranë institucionit tonë çdo veprim apo akt korruptiv me të cilin ata mund të ballafaqohen ose ndeshen”.
Top Channel