Deputeti Myslim Murrizi gjatë fjalës së tij të mbajtur në Kuvend atakoi emrin e zgjedhur për të vendosur në krye të Autoritetit të Medias Audiovizive (AMA).
Ai tha se Armela Krasniqi kandidatja për në krye të AMA-s është nusja e djalit të tezes së Lulzim Bashës, duke thënë “kur jeni ju në pushtet sa mirë i bëni letrat për të ndarë tenderat”
“Sot në këtë Kuvend nusja e djalit të tezës së Lulzim Bashës do të zgjidhet në krye të AMA-s. Ju e keni pasur në kryeministri dhe tashmë do ta zgjidhni kryetare të AMA-s. Ju jeni një, edhe më herët e kam thënë, kur jeni ju në pushtet sa mirë i bëni letrat për të ndarë tenderat, ashtu sikurse dhe kur ata janë në pushtet i bëjnë shumë mirë letrat për të ndarë tenderat”, tha Murrizi
Ndër të tjera Murrizi tha se objekt i ILDKP duhet të jenë të gjithë deputetët dhe drejtorët, të cilët duhet të justifikojnë pasurinë.
“Ka ardhur koha të shihet realisht që të ngushtohet numri i atyre subjekteve për të cilët ligji duhet të ngarkojë në mënyrë të detyrueshme të deklarojnë pasuritë. Janë sot 3 mijë e 769 subjekte, për mua janë shumë, në një Inspektoriat e numër të kufizuar inspektorësh dhe administrate, çfarë kërkoj apo shoh të udhës t’ia parashtroj drejtueses së ILDKP, objekt i hetimit të pasurisë nga ky institucion duhet të jenë banorët e kësaj salle, 140 deputetë, 60 kryebashkiakë, trupa gjyqësore po e kalon nga vetingu, ministrat, drejtorët e përgjithshëm, drejtorë rajonalë.
Rreth 2 mijë. Por t’iu verifikohet, jo thjesht ca letra formale. Ka pasuri të pa verifikuara në letra, të verifikuara publikisht që hajdutllëku i atyre që kanë ushtruar pushtet, gjënë e vjedhur me arrogancë në çdo cep të Shqipërisë,” tha ai ndër të tjera.