Një dëshmitar tjetër ka dal përpara autoriteteve amerikane për të folur mbi politikat e brendshme të gjigantit teknologjik Facebook. Mediet amerikane shkruajnë se ish-punonjësi i Facebook-ut u tha autoriteteve amerikane se platforma kishte synim kryesor fitimet përpara informimit të mirë të qytetarëve dhe ndalimin e përmbajtjeve problematike.

Dëshmitari, i cili nuk ka preferuar që ruajë anonimatin për mediet, paraqiti një ankesë pranë autoriteteve amerikane dhe rregullatorit financiar federal për të bërë me dije problemet e brendshme të kompanisë teknologjike.

Ka qenë më herët një ish-zyrtare e lartë e Facebookut që do të sillte në vëmendje të autoriteteve problematikat e brendshme të kompanisë. Frances Haugen zbuloi në dëshminë e saj se kishte studime të brendshme të kompanisë që tregonin se Facebooku ishte në dijeni për dëmet e mundshme të shkaktuara nga faqet sociale, por nuk kishte marrë masa.

Ndërkohë, denoncuesi i ri ka sjellë në vëmendje edhe praktikat e ndjekura nga kompania në zgjedhjet presidenciale ku pati akuza  për ndërhyrje ruse.

Akuzat e bëra kanë nxitur ligjvënësit amerikanë të ndërmarrin nisma për rregullore të reja mbi gjigantët teknologjikë, ku në fokus është lufta ndaj dezinformimit dhe lajmit të rremë.