
Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj dhe njëherësh ministër i rindërtimit, ka folur në lidhje me procesin e dorëzimit të banesave te familjet. Ahmetaj tha se teksa bëhen dy vite nga tërmeti i 2019, Nëntori do të jetë një muaj shumë i rëndësishëm për shpërndarjen e banesave, fillimisht te familjet më në nevojë, dhe më pas te të tjerët përmes një shorti publik.
“Sapo filloi procesi i kalimit të shkollave në pronësi të bashkive, për administrim në vazhdim dhe në mirëmbajtje. Ky muaj do të jetë shumë i rëndësishëm, ne kemi procesuar për të kaluar në pronësi të familjeve banesat, e para është lista prioritare, familjet me ndihmë ekonomike, me nëna kryefamiljare, apo familje të policëve të vrarë.
Për këto familje shpërndarja bëhet menjëherë, për të tjetër do të bëhet me short. Është përgjegjësi e bashkive që të fillojnë organizimin e shorteve.
Deri tani janë shpërndarë gati 1100 njësi individuale, dhe 800 grante ëpër familjet e dëmtuara. Do ta vazhdojmë procesin dhe gjatë muajit dhjetor, e deri në shtatorin e vitit tjetër. Sot besojmë se deri në fund të shtatorit të vitit tjetër do ti kemi shpërndarë të gjitha banesat.
Sa i përket pyetjes suaj, nuk ka borxhe të papaguara nga drejtoritë e ujësjellësit, janë punë në proces, në të njëjtën kohë dua tju them që në aktin normativ, do të ketë pagesa të mëdha për veprat infrastrukturore”, u shpreh Ahmetaj pas mbledhjes së qeverisë.
